Ndërlidhjet

“Kosova shumë më të rëndësishme e ka pasur marrjen e një vote për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, sesa çfarëdo njohje politike të ndonjë shteti, mu për faktin se ne do të kishim shumë lehtësi në financimin e projekteve tona. Për shembull autostradën mund ta ndërtonim me para të BERZH-it, e jo me para të buxhetit dhe të rrezikojmë kështu një mosshpërndarje të drejtë në sektorët e rëndësishëm të Kosovës”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Institutit “RIINVEST”, Lumir Abdixhiku.



RADIO EVROPA E LIRË
Që nga viti 2009 Kosova është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Anëtarësimi i Kosovës në këta dy mekanizma, përveç tjerash, ishte parë si mundësi e mirë për ta rritur besimin e investitorëve dhe të komunitetit ndërkombëtar, që Kosova është një vendi i mirë për të investuar. Ne nuk patëm as investime, as ndonjë efekt pozitiv në ekonomin e Kosovës. Çfarë ndodhi?


LUMIR ABDIXHIKU
Parimisht, anëtarësimi në këto dy institucione financiare mjaft të rëndësishme për Kosovën, ka qenë lajmi më i mirë që ka mund të marrë Kosova në atë kohë, meqenëse se kishte probleme me njohjen e vetë shtetit dhe falë përkrahjes së miqve ndërkombëtarë të Kosovës, ne u anëtarësuam aty. Megjithatë, ne e dimë mirë se pas anëtarësimit, në rastin më konkret, në relacion me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ne degraduam në relacione me ta dhe dërguam sinjale tek investitorët e huaj se jemi një vend që nuk i respektojmë marrëveshjet fatkeqësisht, dhe jemi një vend ku marrëveshjet shtetërore mund të ndryshohen sa herë që ka zgjedhje.



Kjo besoj se e ka shtyrë shumë imazhin e Kosovës në relacion me investitorët e vendeve të huaja, por jo vetëm kaq. Besoj se Kosova ka një ambient tërësisht të rrënuar biznesor dhe fenomene me anomali nga më të ndryshmet, me theks të veçantë me korrupsionin dhe konkurrencën e padrejtë.

Parimisht, Kosova, përveç se ka përfituar disa kredi nga këto institucione, ndonëse me shumë vonesë, për shkak se kemi humbur një periudhë mjaft të rëndësishme kohore në relacion me FMN-në, kemi humbur në atë kohë edhe disa ndihma nga Komisioni Evropian, të cilat kanë qenë të lidhura po ashtu me FMN-në, por në përgjithësi ne tash jemi në rrugë të mbarë me këto dy institucione, por kemi një kohë të humbur dhe me të drejtë është konstatimi se Kosova nuk ka arritur të dërgojë një sinjal pozitiv në botë, pavarësisht anëtarësimit në këto dy institucione.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se institucionet e Kosovës nuk ishin të përgatitura mirë për shfrytëzimin e anëtarësimit në FMN dhe BB?

LUMIR ABDIXHIKU
E para, ndihma e FMN-së është dashur të jetë në relacion të balancimit të librave të buxhetit. Do të thotë, kur kemi ndonjë problem me deficitin dhe me kontrollimin e shpenzimeve të parasë publike, atëherë kemi ndihmën e FMN-së, po themi herën e parë të ndihmës është ndërprerë për shkak të kokëfortësinë sonë dhe e dyta nuk pritet shumë prej institucioneve si këto dyja në relacion me investime.

Institucioni më i rëndësishëm për Kosovën është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
RADIO EVROPA E LIRË
Kosova tani ka bërë të gjitha përgatitjet për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Është synuar që gjatë këtij viti Kosova të ishte anëtare e këtij mekanizimi financiar ndërkombëtar, deri më tani nuk kemi ndonjë gjë konkrete për këtë... Në rast të anëtarësimit në këtë mekanizëm financiar ndërkombëtar, çfarë duhet bërë Kosova?

LUMIR ABDIXHIKU
Kosova ka një votë kundër për anëtarësim në BERZH. BERZH-i po themi është institucioni më i rëndësishëm për Kosovën në këtë moment për një fakt të vetëm, meqenëse ata investojnë projekte kapitale të parapara me planet e Qeverisë.

Pra, të gjitha këto rrugë që po i ndërtojmë tani, të gjitha investimet kapitale në Kosovë kemi mundur t’i financojmë prej BERZH-it, fatkeqësisht ne e kemi pasur një ndërprerje në angazhimin e institucioneve për anëtarësim në BERZH dhe unë mendoj se Kosova shumë më të rëndësishme e ka pasur marrjen e kësaj vote në këtë mekanizëm kaq të rëndësishëm, sesa çfarëdo njohje politike të ndonjë shteti, mu për faktin se ne do të kishim më shumë lehtësi në financimin e projekteve tona. Për shembull, autostradën mund ta ndërtonim me para të BERZH-it, e jo me para të buxhetit dhe të rrezikojmë kështu një mos shpërndarje të drejtë në sektorët e rëndësishëm të Kosovës.

Anëtarësimi në BERZH, është jetik për Kosovën në qoftë se duhet pasur ndonjë angazhim institucional, atëherë unë rekomandoj fuqishëm që të bëhet drejt BERZH-it, meqenëse njëjtë sikur çdo vend tjetër i rajonit si Shqipëria, Maqedonia Serbia Mali i Zi, Kroacia investimet kapitale kryesisht në rrugë ndihmohen jashtëzakonisht shumë prej BERZH-it dhe Kosova po humb çdo ditë nga fakti se nuk po anëtarësohet e po vazhdon me investime kapitale. Domethënë, ne po i financojmë investimet kapitale me para të taksa-paguesve pa i shfrytëzuat gjitha alternativat financuese nga ku më e rëndësishme është kjo e BERZH-it.

RADIO EVROPA E LIRË
Ky financim që po bëhet nga buxheti i Kosovës në projektet siç është autostrada, a po e rrezikon buxhetin e Kosovës?

LUMIR ABDIXHIKU
E para, ne kemi pasur deficit të papërballueshëm edhe për ta mbuluar këtë deficit, ne i kemi shfrytëzuar të gjithë paratë rezervë që i kemi mbledhur nëpër vite.

E dyta, është dashur të ndërpriten të gjitha financimet tjera në investimet tjera kapitale, jo autostradë, prandaj ne sot nuk kemi asnjë rrugë në drejtim, të themi, të qyteteve më të mëdha të Kosovës.

Ne kemi ndërprerë çdo investim në sektorët tjerë për shembull në ambientin biznesor kemi dhënë aq shumë para për ta përmirësuar njërin prej sektorëve më të rëndësishëm - sektorin privat në Kosovë, e nuk kemi dhënë mjaft para për shëndetësi, le të themi e cila është në gjendje mjaft katastrofale.

Nuk kemi dhënë para as në arsim, por ne kemi bërë një kosto për punë jashtëzakonisht të madhe për të mbuluar një autostradë të vetme, e cila ka mundur të financohet prej fondeve të BERZH-it. Tani për të mbuluar këtë deficit, pra për të mbuluar këtë diferencë mes të hyrave dhe shpenzimeve të buxhetit, na është dashur të bëjmë disa shkurtime.

Shkurtimi i parë ka qenë në shpenzimet kapitale tjera jo autostradë, e dyta, kemi pasur nevojë të bëjmë rritje të të hyrave, kemi filluar me rritjen e taksës në thëngjill, e cila rrjedhimisht ka bërë shtrenjtimin e rrymës për kosovarët diku rreth 8 për qind. Gjithashtu, kemi vazhduar të kemi rritje të tatimeve për biznese të vogla dhe kemi para një sërë rritjesh dhe shkurtimesh, rritje të taksave dhe shkurtime të shpenzimeve qeveritare në sektorë mjaft të rëndësishëm.

Pra, ka një kosto esenciale përqendrimi në një projekt të vetëm, dhe kosto më e rëndësishme është se kjo nuk po prodhon zhvillim ekonomik, nuk po prodhon vende të reja të punës dhe po prodhon inflacion, janë dy problemet kryesore me të cilat ballafaqohet sot shoqëria kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç këtyre që ju i thoni, kemi edhe raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës e cila flet për një deficit të lartë tregtar, flet për rënie të remitencave si dhe rënie të investimeve...

LUMIR ABDIXHIKU
Raporti i fundit i BQK-së është lajmi më regresiv që e ka marrë Kosova ndonjëherë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, meqenëse për herë të parë kemi një trend negativ dhe pothuajse në të gjitha dukuritë ekonomike të vendit.

Kujtoj se në raportin e BQK-së thuhet se Kosova ka arritur një normë të deficitit tregtar rekord diku rreth 2.2 miliard euro diferencë mes importit dhe eksportit. Asnjëherë më parë nuk e kemi pasur një deficit kaq të lartë tregtarë. Ne prapë kemi pasur rritje të importeve dhe rënie të eksporteve, ne kemi pasur një rënie të jashtëzakonshme të investimeve të huaja. Kosova në vitin 2008 - 2009 ka pasur një cikël të madh të rënies së këtyre investimeve dhe po vazhdojmë ende edhe sot me një rënie, madje vetëm në tremujorin e parë, në krahasim me vitin e kaluar kemi pasur rreth 28 për qind rënie të investimeve të huaja direkte, që janë shpëtimi i vetëm i zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe në përgjithësi.

Gjithë këto rënie të deficitit tregtar të investimit të huaja direkte, bashkë me remitencat apo paratë që i marrin nga jashtë, kanë bërë që Kosova të reduktojë planifikim e rritjes ekonomike nga 5 për qind sa ka qenë në fillimit, në 3.8 për qind. Kjo shifër është gjysma e asaj çfarë i nevojitet realisht Kosovës, pasi sipas parashikimeve të Bankës Botërore, madje edhe sipas parashikimeve të vetë Qeverisë në planin e vet Kosova duhet të ketë një rritje ekonomike prej 7 deri 8 për qind për të akomoduar problemet e papunësisë. Me 3.8 për qind ne jemi shumë larg realizimit të këtij objektivi.

Në fund të fundit, këto janë rezultatet, të cilat masin më së miri çfarë janë politikat qeveritare. Këto rezultate duhet të na shërbejnë si tregues që politikat apo inputet qeveritare janë tërësisht të gabuar për një fakt të thjeshtë, meqenëse institucionet tona në vazhdimësi nuk kanë arritur ta ringjallin sektorin privat, pra sektori privat nuk është shtytësi kryesor i zhvillimit ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se po bëjnë ndryshime të politikave fiskale në favor të bizneseve, Sa mendoni ju se qëndron kjo dhe a janë ato politika fiskale në favor të biznesit dhe rrjedhimisht të zhvillimit ekonomik?

LUMIR ABDIXHIKU
Normat e tatimeve nuk janë pjesa e tërësishme e politikave fiskale. Politikat fiskale nuk fillojnë dhe mbarojnë vetëm me caktimin e normave tatimore dhe kjo kam përshtypjen se ka qenë ngatërresa më e madhe e ka bërë Qeveria jonë, meqenëse nuk ka bërë një analizë të mëtutjeshme.

Për shembull, bizneset kosovare sot e kësaj dite kanë problem me pagesën e TVSH-së në kufi, si asnjë vend tjetër në botë, dhe kjo është pengesë serioze. Nuk është pengesë serioze ndoshta norma apo niveli i tatimit të TVSH-së, të themi sa është mënyra e pagesës së saj.

Pra, bizneset tona kanë një barrë të madhe fiskale në procedurat e pagimit të këtyre obligimeve dhe në fund të fundit edhe në kthimin e TVSH-së.

Përveç kësaj, ne kemi pas rastet kur bizneset për shkak të deficitit të lartë buxhetor, i kemi ngatërruar me parapagim të tatimeve. Madje, meqë Qeveria jonë ka aq nevojë për të mbledhur para, nuk ka arritur asnjëherë që ta informojë sektorin po ka mbledhur para prej bizneseve ekzistente dhe prandaj në vitin 2012 për herë të parë në histori të Kosovës kemi konkurrencën e padrejtë, të shkaktuar kryesisht prej mospagesës së barabartë të tatimeve nga bizneset si barrierë thelbësore në ambientin biznesor kosovar.

Mos të harrojmë se ka edhe shumë sektorë ku Qeveria i ka rritur tatimet për shembull te bizneset e vogla shërbyese me qarkullim ndër 50 mijë euro meqë është numri më i madh i bizneseve, kemi pasur rritje të tatimeve për 80 për qind, pra nga 5 në 9 për qind.

RADIO EVROPA E LIRË
Kemi edhe normat e larta të interesit, një nga faktorët thelbësorë që pengon më së shumti bizneset private. A mendoni se në këtë rast shteti duhet të gjejë ndonjë mënyrë të ndërhyrjes?

LUMIR ABDIXHIKU
Normat e interesit ose financimi i bizneseve është problemi pothuajse thelbësor në ambientin e tashëm. Madje, radhitet i treti pas konkurrencës jo fer dhe pas problemeve energjetike. Kosova ka një barrë të rëndë në financimin e ndërmarrjeve, pra bizneset tona nuk kanë alternativë të mira të financimit - në qoftë se nuk ke alternative të mira të financimit, atëherë e ke të pamundur të bësh edhe investime.

Norma e lartë e investimeve është fillimisht e lidhur ngushtë me investimet. Sa më e lart të jetë norma e interesit, aq më i ulët do të jetë niveli i investimeve. Qeveria e Kosovës normalisht nuk është përgjegjëse drejtpërdrejt për krijimin e normave të ulëta të interesit, por është shumë përgjegjëse për krijimin e një ambienti të sigurt.

Arsyeja pse normat e interesit në Kosovë janë të larta është së pari pse ka mungesë totale të gjykatave që merren me çështjet bankare dhe ekonomike. Arsyeja e dytë është sepse nuk ka regjistër kadastral të bizneseve dhe këto biznese s’mund të hipotekojnë pasurinë e tyre.

Dhe, arsyeja e tretë është sepse ka një ambient të rëndë biznesor, ku bizneset edhe në qoftë se marrin kredi, nuk e kanë të garantuar kthimin e kredive.

Po i kthehem prapë raportit të BQK-së. Këtë vit janë rritur normat e kredive të këqija për biznese, domethënë bizneset po kanë probleme për t’i kthyer ato kredi dhe kjo ndodh për shkak të një ambienti të tërësishëm.

Pra, Qeveria nuk ka politika të drejtpërdrejta në uljen e normave të interesit po ka një sërë politikash që përmirësojnë ambientin biznesor, ofrojnë siguri, ulin riskun, rrjedhimisht ulin edhe normat e interesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të duhej të bënte Qeveria e Kosovës ose institucionet në përgjithësi për përmirësimin e ambientit afarist në Kosovë dhe një zhvillim më të hovshëm ekonomik?

LUMIR ABDIXHIKU
Janë disa fusha. E para, lufta ndaj joformalitetit duhet të jetë e pakompromis. Kosova ka numër rekord të joformalitetit, qoftë në shitje, qoftë në numrin e regjistruar të punëtorëve dhe qoftë në pagesën e tatimeve.

Për herë të parë këtë vit ne kemi arritur ta masim nivelin e invazionit fiskal në Kosovë, e që arrin në 40 për qind, që është numër rekord për çdo vend të tranzicionit që ka kaluar në periudhë të njëjtë sikurse Kosova.

Fillimisht, duhet t’i forcojë mekanizmat mbledhës të tatim-paguesve meqenëse duhet të krijojë një ambient të barabartë mes bizneseve, meqë kemi një ambient të pabarabartë - disa biznese paguajnë, disa tjera operojnë në joformalitet dhe më pas këta që janë në jonformalitet domosdo janë më të suksesshëm, më të qëndrueshëm sesa këta që janë në formalitet.

E dyta, duhet të reduktojë dukshëm korrupsionin, meqenëse çdo para e shfrytëzuar nga buxheti i vendit ka efekte shumë më të vogla të multiplikatorit sesa të mos kishte pasur korrupsion. Një para, një euro e shpenzuar nga Qeveria, nuk shkon te një biznes i rregullt po shkon te një biznes, i cili nuk e ka natyrën normale të operimit.

E, pasiqë Qeveria e Kosovës është shtysi kryesor i zhvillimit ekonomik, shpenzimi i kësaj paraje, mënyra se si e shpenzojnë paranë, ka shumë më tepër rëndësi për Kosovën.

E treta, duhet të krijojë një ambient të sigurt biznesor - kur themi i sigurt, duhet forcuar gjykatën domosdo. Në Kosovë vetëm 3 për qind e bizneseve kanë marrëdhënie me gjykata, e kjo është shumë herë më ulët sesa vendet e rajonit që kanë një relacion diku rreth 38 për qind. Pra, jo se bizneset tona nuk kanë probleme për gjykata, por se nuk besojnë në sistemin gjyqësor.

Problemet e Kosovës janë të thjeshta, politikat e Qeverisë fatkeqësisht janë orientuar në një ngushti shumë të madhe: e para në privatizim të aseteve, dhe e dyta në balancim të librave buxhetorë.

Pra, nuk ka ekonomi përtej kësaj, nuk ka analiza ekonomike përtej këtyre dy fushave, ekonomia është shumë më e gjerë se balancimi i buxhetit, sesa shitja e disa ndërmarrjeve dhe këtu kam përshtypjen që Qeveria jonë nuk e ka kuptuar asnjëherë. Prandaj dhe ne i kemi këto rezultate, prandaj ne kemi papunësi që nuk ndryshon, ka mbetur është ngushtuar në 40 për qind, kemi një inflacion në 7.5 për qind, deficit 2.2 milionë euro dhe prandaj kemi rënie të investimeve të huaja direkte që nuk vijnë dot në Kosovë për shkak të një ambient kaq të rëndë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG