Ndërlidhjet

SHBA-ja e mbështet emërimin e Lakdar Brahimit

  • RFE /RL

Homs, Siri

Homs, Siri


Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Lakdar Brahimin, i cili dje nga Kombet e Bashkuara u konfirmua si i emëruari i ri ndërkombëtar për Sirinë.

Sekretarja Klinton tha se Uashingtoni do ta mbështes Brahimin “në sigurimin e paqes së qëndrueshme që i përkrah aspiratat legjitime për qeveri përfaqësuese të popullit të Sirisë”.

Mesazhi i saj për popullin e Sirisë ishte se “ju nuk jeni vetëm” dhe shtoi se komuniteti ndërkombëtar është i përkushtuar për një tranzicion politik i udhëhequr nga sirianët dhe për të pasur siguri se ata që kanë bërë krime të mbahen përgjegjës.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhosh Ernest, vlerësoi se zoti Brahimi është diplomat i aftë dhe me përvojë.

“Zoti Brahimi është diplomat i aftë dhe me përvojë, është i mirënjohur për ne dhe të tjerët në komunitetin ndërkombëtar. Ne presim të vazhdojmë të punojnë për së afërti me Kombet e Bashkuara, për ta mbështetur përfundimin e gjakderdhjes në Siri dhe për avancimin e një tranzicioni politik të udhëhequr nga sirianët dhe të mbështetur ndërkombëtarisht”, tha Xhosh Ernest, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

Shpalljen për emërimin e diplomatit Lakdar Brahimi në postin e të dërguarit ndërkombëtar për Sirinë e bëri Eduardo del Buej, zëdhënës i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

“Dhuna dhe vuajtja në Siri duhet të përfundoj. Sekretari i përgjithshëm e përshëndet gatishmërinë e zotit Brahimi për ta sjellë talentin e tij të konsiderueshëm dhe përvojën për këtë detyrë madhore, për të cilën atij i duhet mbështetja e fuqishme e qartë dhe unike nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Del Buej, në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Lakdar Brahimi, 78-vjeçar, ish ministër i jashtëm i Algjerisë, ka punuar në disa poste të profilit të lartë në OKB, duke fituar reputacionin e negociatorit të ashpër dhe të pavarur. Ai ishte negociator në Afganistan, Irak dhe Haiti. Ai ka ndihmuar, po ashtu, në negociatat për përfundimin e Luftës Civile në Liban.

Emërimi i zotit Brahimi u bë pasi Kofi Anani e shpalli dorëheqjen e tij, më herët këtë muaj, pas dështimit për arritjen e armëpushimit të përkohhsëm gjatë mandatit të tij gjashtëmujor si i dërguar i OKB-së dhe i Ligës Arabe për Sirinë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se së paku 18 mijë njerëz janë vrarë prej marsit të vitit 2011, kur filloi kryengritja në Siri kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad.
Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG