Ndërlidhjet

logo-print

Analistët: Para bisedimeve të arrihet konsensusi


Posterët e liderëve të disa partive në Kosovë gjatë fushatës parazgjedhore

Posterët e liderëve të disa partive në Kosovë gjatë fushatës parazgjedhore

Në Kosovë, aktualisht, po zhvillohet një debat në lidhje me mundësinë e nisjes së një dialogu politik me Serbinë.

Derisa Qeveria e Kosovës po kërkon një konsensus ndërpartiak për këto bisedime, disa nga partitë politike opozitare aktualisht janë duke i kundërshtuar këto bisedime me Serbinë.

Mirëpo, analistët politikë në vend konsiderojnë se spektri politik, duhet që sa më parë të arrijë një marrëveshje dhe të ulet e të bisedojë për platformën e bisedimeve politike me Serbinë.

Analisti i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, parashikon se me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, do të arrihet një konsensus mes partivë politike për fillimin e dialogut.

“Nga jashtë shihet se konsensusi nuk mund të arrihet lehtë dhe shpejt, sepse kemi ende këto konfrontimet e brendshme, por unë besoj se me ndihmën ose presionet e faktorit ndërkombëtar, do të arrihet një lloj konsensusi i brendshëm. Dhe, mendoj, po ashtu, se do të jetë një lloj formule garantuese si edhe deri tash që nuk thuhet publikisht se ku do të jenë kufijtë, limitet edhe garancitë se për çka do të bëhet ky proces”, thotë Maliqi.

Maliqi thotë se presioni apo ndikimi i faktorëve ndërkombëtarë në partitë politike do të bëhet në mënyrë që të krijohet një mbështetje më e madhe e forcave politike pro bisedimeve me Serbinë.

“Kjo nënkupton që LDK-ja, e cila momentalisht e reziston ose e ka një politikë kështu verbalisht të ashpër kundër dialogut, mendoj se si deri tash siç e ka treguar historia ,’palohet’ kur është një lloj interesi madhor ose paraqiten garancat se ky proces vërtet do të përfundojë me një avancim të Kosovës, të them ashtu të mbyllen disa pika neuralgjike që kemi, si çështja e veriut që po mbetet e hapur edhe pengon integrimin e Kosovës edhe vetë Serbisë në strukturat euro-atlantike”, shton Maliqi.

Analistët konsiderojnë se është me rëndësi që konsensusin mes partive politike të ndërtohet vetë, pa ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare pasi që, siç thonë ata, të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi shumë të madhe për gjendjen, në të cilën gjendet shteti.

Analisti tjetër, Ardian Arifaj, thotë se aktualisht është më se i domosdoshëm një konsensus për bisedimet politike me Serbinë, lidhur me atë se çka duhet të diskutohet me shtetin fqinj.

“Konsensusi i shpejtë duhet të arrihet rreth asaj se cilat do të jenë ato vijat e kuqe, temat të cilat nuk do të preken në çfarëdo bisedimesh me Serbinë. Sigurisht që ky konsensus është i domosdoshëm pas çdo bisedimesh me Serbinë”, thekson Arifaj.

Kurse, sa i takon çështjes së një konsensusi në rrafshin e formimit të një grupi për bisedime, për analistin Arifaj kjo është e panevojshme.

“Po nëse është fjala për ndonjë konsensus më të gjerë, që do të nënkuptojë edhe krijimin e ndonjë trupi para-politik, para-shtetëror çfarë ka qenë Grupi i Unitetit ose një koalicioni i gjerë qeverisës, nuk është nevoja që të krijohet një trup i tillë ose një qeveri e tillë ku do të përfshiheshin të gjitha partitë politike, sepse temat e mëdha politike mes Kosovës dhe Serbisë kanë marrë fund, janë trajtuar. Temat, të cilat do të preken, janë tema që mund t’i trajtojë çfarëdo qeverie”, sqaron Arifaj.

Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të sjellë pasoja të rënda për vendin, kanë thënë përfaqësuesit partive politike opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ndryshe, bisedimet e ashtuquajtura teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, patën filluar në mars të vitit të kaluar dhe kanë prodhuar shtatë konkluzione në formë marrëveshjesh, por të panënshkruara nga palët.

Nga këto konkluzione, sipas Qeverisë së Kosovës, pala serbe po e zbaton vetëm atë të tregtisë dhe lëvizjes së lirë, kurse ka ngecje të tërësishme në zbatimin e gjashtë marrëveshjeve tjera.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG