Ndërlidhjet

logo-print
Në rubrikën tonë të përjavshme, VOX, kemi marrë mendimet e disa të rinjve, rreth asaj se sa e kanë të vështirë t’i mbulojnë shpenzimet rreth studimeve. Shumica nga të intervistuarit janë të papunë dhe për anën financiare të tyre kujdesen prindërit.



Lulzim Dobruna, studion në Fakultetin Ekonomik. Ai thotë se nuk punon, derisa shton se shpenzimet për të i mbulojnë prindërit.

“Për literaturë nuk është edhe shumë problem, sepse te ne nuk ka të drejtë të autorit, edhe po mund t’i fotokopjojmë. Ka profesorë që i kërkojnë librat e tyre që janë diku rreth 15 euro. Për një familje që ka disa studentë, është goxha problem për t’i financuar studimet”, tregon Lulzimi.

Gent Krasniqi studion Letërsi Krahasimtare, në Universitetin e Prishtinës.
Ai pohon se sa i përket literaturës janë të liruar, dhe nuk kanë nevojë ta blejnë atë, për shkak se mund ta huazojnë në bibliotekë.

“Gjendet në bibliotekë ajo literaturë që kërkohet. Në bibliotekën e Fakultetit Filologjik. Rrallë më bie t’i blej librat. Unë nuk punoj, por prindërit dhe vëllezërit më ndihmojnë rreth studimeve”, thotë Genti.

Kurse, Alvesa Mehmeti, përpos shpenzimeve rreth fakultetit, paguan edhe banesë me qira në Prishtinë, meqë vjen nga Ferizaji:

“Po si çdo student, normalisht që ka probleme. Varet çfarë kushte ke. Për çdo gjë po duhet harxhime. Unë paguaj edhe banesë, banoj me qira”.

E, më me fat ndihet Almedina Jahiji, meqë prindërit i punojnë dhe ka mundësi të studiojë. Por, nuk mohon problemet rreth çështjes financiare për studime:

“Prindërit më punojnë të dy, dhe më financojnë. Normalisht që kam probleme, meqë më financon familja”.

Derisa Kushtrimi nga Prishtina, student në Fakultetit Juridik, studion, por edhe punon. Ai shton se sa i përket gjetjes së literaturës, ai e shfrytëzon internetin për të siguruar atë, në mënyrë që të mos shpenzojë të holla për t’i blerë librat.

“Unë punoj dhe studioj. Studioj edhe nuk kam probleme për gjetjen e literaturës, sepse tash edhe përmes internetit po mund t’i gjej. Kush do të punojë, mund të gjejë alternativa, e kush nuk do, është diçka tjetër”, shprehet Kushtrimi.

Arbresha Gashi, studion në Fakultetin e Edukimit. Ajo thotë se ndihet me fat që është e vetmja studente në shtëpi, andaj prindërit kanë mundësi t’i mbulojnë shpenzimet për të, meqë ajo nuk punon.

“Semestri nuk më duket shtrenjtë, mua për vete jo, sepse unë jetoj në Prishtinë. Prindërit më financojnë. Unë jam e vetmja studente në shtëpi. Nëse ka më shumë studentë në një familje mendoj se do të ishte problem. Ndërkaq, sa i përket literaturës, nuk besoj që është shumë vështirë të sigurohet , i gjejmë përmes studentëve, profesorët na tregojnë ku mund t’i marrim”, thotë Arbresha.

Edhe Fisnik Gojanin, student i Shkencave Kompjuterike, e mbështesin financiarisht prindërit, por ai thotë se tashmë është gati në përfundim të studimeve:

“Mua më financojnë prindërit dhe nuk kam probleme rreth financimit. Jam i vetmi student në shtëpi. Motrat i kam më të vogla dhe ende nuk studiojnë. Të dy prindërit më punojnë dhe nuk kam probleme rreth financimit për të studiuar, edhe pse nuk punoj”.

Derisa Pranvera mendon se studimet kushtojnë shumë shtrenjtë Në familjen e saj punon vetëm babai, derisa janë tre studentë, ajo dhe dy vëllezërit e saj.

“Unë mendoj se është problem. Është papunësi shumë e madhe dhe kushtet janë të vështira. Ka familje që kanë shumë studentë në një familje. Rast konkret jam unë. Jemi tre studentë dhe jetojmë me një pagë”, tregon PRanvera.

Fitore Qeriqi studion Edukim fillor. Ajo jeton në Ferizaj dhe i duhet të udhëtojë çdo ditë për t’i ndjekur ligjëratat. Ajo mendon se gjithçka është shumë e shtrenjtë dhe sakrificë shumë e madhe për t’i kryer studimet, pasi që të gjitha shpenzimet duhet mbuluar vetë.

“Mendoj se studimet janë të shtrenjta. Përveç studimeve, na bie edhe udhëtimi . Unë jam e Ferizajt. Në qoftë se zgjedhim të banojmë këtu, atëherë është një shpenzim ekstra. Ushqimi edhe të gjitha tjerat. Sa i përket literaturës, skripta fotokopje gjithçka duhet të mbulohet prej anës tonë”, thotë Fitorja.

Me gjithë sakrificat, ekspertë të arsimit kanë deklaruar disa herë se cilësia e arsimit mbetet shqetësuese për shoqërinë dhe institucionet në përgjithësi. Sipas tyre, cilësia e arsimit në Kosovë nuk garanton të ardhme të sigurt për qytetarët, duke shtuar se në institucionet universitare, mësimet bëhen tërësisht në mënyrë teorike dhe asgjë praktike.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG