Ndërlidhjet

NI: Dështimi i harruar në Bosnjë


505 arkivole me eshtrat e viktimave të Srebrenicës...
505 arkivole me eshtrat e viktimave të Srebrenicës...
Në këtë kohë, 20 vjet më parë, nuk ka pasur ngjarje më të nxehtë në mediat globale sesa Bosnja dhe lufta e saj e tmerrshme civile, shkruan në numrin e saj më të ri revista “National Interest”. Ajo nuk vë në dyshim se “mbështetja mediatike” ka bërë një punë të shkëlqyer në detyrimin e qeverive perëndimore për t’i kushtuar vëmendje konfliktit dhe për të ndërhyrë ushtarakisht në Bosnjë.

Revista kujton se në vjeshtë të vitit 1995, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmjetësuar marrëveshjen për t’iu dhënë fund luftimeve, të njohur si Traktati i Dejtonit. Por, çfarë ndryshimi kanë bërë dy dekada?

Sipas revistës, Bosnja ka mbetur lajm i faqeve të para në botë për shumicën e viteve 1990 dhe veçanërisht për Masakrën e Srebrenicës. Por, në fund të dekadës, kujton “National Interest”, mediat kanë lëvizur në vende të tjera problematike, si: Kosova, Sudani, Timori Lindor, Iraku dhe Afganistani. Dhe sot, Bosnja gjeneron rrallë lajme në Perëndim, e aq më pak në faqet e para.

“National Interest” vë në pah se federata ka qenë që nga fillimi një martesë e pakënaqur ndërmjet myslimanëve të Bosnjës dhe kroatëve. Ndërsa, për ekzistencën e Republikës Serbe thotë se konsiderohet si fyerje nga boshnjakët apo “shpërblim për gjenocidin”.

Premtimet e Dejtonit për të rikthyer funksionimin e shoqërisë civile dhe të ekonomisë në Bosnjë, kanë qenë një zhgënjim i madh. Sipas revistës, papunësia zyrtare qëndron në 50 për qind, por shifra e tillë mund të jetë shumë optimiste. Investimet e huaja, në anën tjetër, janë shterur për shkak të korrupsionit dhe vjedhjeve.

Revista nxjerr në pah edhe disa shifra, sipas të cilave, të paktën një e pesta e miliarda dollarëve ndihma nga Perëndimi, pas vitit 1995, janë vjedhur nga politikanët dhe mafia. Ndërsa sektori i zi lulëzon, ashtu siç bënte edhe gjatë luftës, për ekonominë e ligjshme mund të thuhet se mezi ekziston.

Sipas revistës, vetë boshnjakët duhet të mbajnë një pjesë të madhe të përgjegjësisë për krimin, korrupsionin dhe vjedhjet, të cilat sundojnë jetët dhe institucionet. Megjithatë, është elita ajo që përfiton nga kriminaliteti i institucionalizuar, sepse boshnjakët e rëndomtë luftojnë varfërinë, shkruan revista “National Interest”.

E njëjta kujton se përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian ka pushuar së funksionuari, ndërsa ajo çfarë Amerika, NATO-ja dhe BE-ja kanë punuar në Bosnjë, paraqet një përrallë paralajmëruese, sidomos për komentuesit që kanë lëvduar Bosnjën si fitore të rrallë në rubrikat për ndërhyrjen perëndimore.

Në rrënjë, vijon artikulli, Dejtoni ka imponuar një model neokolonial, pa përfitime neokoloniale.

Shembulli i Bosnjës ngre dyshime për efikasitetin e Perëndimit në shtet-ndërtimin e shoqërive të thyera, qofshin ato edhe relativisht të vogla, krahasuar me vendet më të mëdha si Iraku dhe Afganistani, shkruan revista.

Dejtoni, pas një iluzioni të ndryshimit, ka fuqizuar kuadro kriminale që kanë çuar Bosnjën në një luftë të tmerrshme, duke bërë fare pak për viktimat e luftës e aq më pak për reformimin e shoqërisë së dëmtuar.

Sot, Bosnja dhe Hercegovina, një krijim huazi-kolonial, është në prag të kolapsit, pasi paraliza politike dhe problemet ekonomike sa vijnë e përkeqësohen. Boshnjakët nuk mund të shpëtojnë veten e tyre, ndërsa shpëtimtarët e viteve 1990 nuk duken të interesuar, shkruan “National Interest”.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG