Ndërlidhjet

Sfidat e pajtimit ndëretnik në Maqedoni


Pamje nga Shkupi.
Pamje nga Shkupi.
Propozim-ligji i hartuar nga VMRO-DPMNE-ja, për rregullimin e statusit të ish-pjesëtarëve të forcave të sigurimit që pësuan në konfliktin e vitit 2001, ka nxitur reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, pasi me këtë propozim, ata kategorikisht përjashtohen nga përfitimet që do të ketë për policët dhe ushtarët e dëmtuar në forma të ndryshme në konfliktin e armatosur të para 11 vjetësh.

“Përfitimet e këtij ligji, nuk mund t’i realizojnë ata persona, të cilët dëmtimet i kanë marrë si pjesëtarë, ndihmës ose bashkëpunëtorë të grupeve të armatosura ekstremiste dhe grupimeve paraushtarake apo personat ndaj të cilëve është ngritur padi penale apo kanë marrë dënime të plotfuqishme për shkak të armëmbajtjes pa leje si për vepra penale kundër shtetit, njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare”, thuhet në projektligj.

Ky projektligj, për personat që, siç thuhet, janë dëmtuar në mbrojtje të shtetit, parasheh pensione, banesa, punësime, ndihma sociale e shëndetësore, ndihma në shkollim e kështu me radhë.

Besim Hoda, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thotë se një propozim i këtillë është diskriminues dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, me të cilën parashihet ndihmë dhe risocializim për të gjithë personat e prekur nga konflikti. Veç kësaj, propozimi i partisë maqedonase në pushtet vjen në kohën kur po kërkohet zgjidhja e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Jemi shumë larg nga realizimi i asaj marrëveshjeje, e cila ndërpreu luftën e 2001-it dhe normalisht se pala humbëse gjithmonë është ajo shqiptare. Pala maqedonase absolutisht nuk ka një qasje të vërtetë as ndaj Marrëveshjes së Ohrit, por, absolutisht as qytetarët shqiptarë që jetojnë në Maqedoni, nuk vazhdon t'i trajtojë të barabartë ashtu siç duhet t'i trajtojë çdo shtet”.

“Kjo lojë që dita-ditës thellohet edhe më tej, do të vazhdojë dhe do të na sjell në një pozicion edhe më të disfavorshëm”, thotë Hoda, duke fajësuar për gjendjen e krijuar faktorin politik shqiptar, që, sipas tij, përveç premtimeve boshe, nuk ka ndërmarrë asgjë konkrete për t’i zgjidhur kërkesat e tyre.

“Pala maqedonase siç duket e ka kuptuar se për ta gjithçka mund të kundërshtohet vetëm nëse arrin që t'ju jap një lëmoshë apo të përfitojnë ndonjë tender. Kjo edhe njëherë dëshmon pafuqinë e plotë e subjekteve politike shqiptare, të cilat po mundohen të luajnë atë lojën e maces me miun kundrejt faktorit maqedonas”, shprehet Hoda.

Kryetari i OVL të UÇK-së, thotë se pa zgjidhjen e statusit të të gjithë personave të dëmtuar nga konflikti, nuk bisedohet për pajtim ndëretnik në Maqedoni.

“Puna e parë për të dëshmuar se Maqedonia frymon në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, është trajtimi i barabartë i të gjithë të rënëve gjatë luftës së vitit 2001. Ne ashtu siç e shtrimë dorën atëherë, ashtu siç dorëzuam armët duke shpresuar se pas çdo lufte do të ketë një paqe, ne bëmë gjithçka për të dëshmuar se jemi të gatshëm të jetojmë bashkërisht, por subjektet politike maqedonase - këtu nuk dua të fajësoj popullin maqedonas, por subjektet e tyre - vazhdojnë të nxisin tensione duke provokuar në sens atë që është më e shenjtë veçanërisht për ne ish-ushtarët e UÇK-së”, shton Besim Hoda.

Nga BDI-ja në pushtet zyrtarisht nuk e kanë komentuar propozim-ligjin e VMRO-DPMNE-së, por jozyrtarisht përfaqësues të kësaj partie kanë shprehur bindjen se nisma mund të jetë bazë e mirë për ndërtimin e mirëbesimit mes dy komuniteteve duke lënë për të besuar se propozimi nuk do të jetë përjashtues për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Ndryshe, propozimi i VMRO-DPMNE-së vjen një ditë pasi ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi, me disa eprorë shqiptarë të ARM-së, kishin vendosur lule dhe ishin përkulur para një memoriali të UÇK-së në Sllupçan të Kumanovës - akt ky që pati shkaktuar reagimin e VMRO-DPMNE-së dhe të vetë kryeministrit Nikolla Gruevski.
XS
SM
MD
LG