Ndërlidhjet

“Pussy Riot” nuk i "mëshirohet" Putinit

  • RFE /RL

Në përkrahje të vajzave të "Pussy Riot"

Në përkrahje të vajzave të "Pussy Riot"

Avokatët e tri anëtareve të dënuara të grupit rus “Pussy Riot” thanë se ato kanë përjashtuar mundësinë që t’i kërkojnë presidentit Vlladimir Putin amnisti pas dënimit të tyre me dy vjet burg.

Avokati Nikolai Polozov është cituar nga agjencia e lajmeve France Press (AFP) të ketë thënë “Le të shkojnë në ferr bashkë me faljen e tyre”.

Pozlov ka thënë se avokatët megjithatë ende planifikojnë të apelojnë verdiktin në Gjykatës Supreme dhe atë Kushtetuese, si dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Protesta në mbështetje të vajzave të "Pussy Riot"...

Protesta në mbështetje të vajzave të "Pussy Riot"...

Të premten e kaluar një gjykatë i shpalli anëtaret fajtore për “huliganizëm të motivuar nga urrejtja fetare” për shkak të performancës së tyre kundër Putinit në një katedrale ortodokse në Moskë, të kryer në muajin shkurt.

Polozov tha se avokatët po prisnin kopjen zyrtare të vendimit të gjykatës para se ta apelonin atë.

Policia ruse tha se ka vazhduar kërkimin për anëtaret tjera të “Pussy Riot”, të cilat kanë qenë të pranishme gjithashtu në performancën e shkurtit. Ata po shikojnë t’i përfshijnë edhe ato në ndonjë hetim të mundshëm kriminal.

Reagimet ndërkombëtare pas verdiktit të së premtes kanë qenë të shpejta dhe në përgjithësi negative, derisa artistë të shquar si Pol Mekartni, Madona, Mobi dhe shumë të tjerë kanë shprehur mbështetjen për pankeristet.

Në Rusi, verdikti gjithashtu ka nxitur aksione në mbështetje të “Pussy Riot”.

Nga Moska raportohet se në veriperëndim të Rusisë janë shkruar grafite si “Liri për Pussy Riot” në një katedrale në qytetin Velkije Luki.

Në qytetin Pskov grafitet ”Poshtë obskurantizmi i Kishës!” dhe “Respekt për Pussy Riot” janë shkruar me shkronja 15 metra të larta në Manastirin e shekullit të XIII.

Autoritetet i kanë fshirë shpejt grafitet.

Në një incident tjetër, mbështetësit e Pussy Riot në Moskë janë përfshirë në një zënkë, kur kanë hyrë në një kafene, me bluza, në të cilat shkruante “Nëna Mari dëboje Putinin”- një referencë për “lutjen pank” të vajzave të “Pussy Riot” që çoi në përndjekjen e tyre.

Policia ka arritur që të rivendosë rendin, pasi që një grup i të rinjve i ka thirrur autoritetet duke thënë se janë ndjerë të ofenduar nga mbishkrimet në bluza, të cilat, sipas tyre, kanë nxitur urrejtje ndërfetare.

Gari Kasparov

Gari Kasparov


Në zhvillime të ngjashme, lideri i opozitës ruse dhe ish-kampion botëror në shah, Gari Kasparov mohoi akuzat se e ka sulmuar një polic dhe tha se do të ankohet në lidhje me këtë në gjykatë.

Kasparov është arrestuar para gjykatës Kamovniçeski të premten, në kohën sa lexohej verdikti në rastin e “Pussy Riot”.

Njëri nga zyrtarët policorë që e kishte larguar Kasparovin nga andej, ishte ankuar më vonë se shahisti e kishte sulmuar atë.

Kasparov është thirrur në polici për t’u marrë në pyetje në lidhje me incidentin e pretenduar.

“Ne paraqitëm një videoincizim, i cili dëshmon, pa asnjë dyshim, se unë jam sulmuar fizikisht, jam ndaluar ilegalisht nga zyrtari policor, dhe personi që më akuzon se e kam sulmuar, në fakt më ka qëlluar mua me dorën e tij”, tha Kasparov për gazetarët në Moskë.

Ai tha se do të paraqesë dy ankesa:

“Nga ana ime, planifikoj që të paraqes dy ankesa për të nisur procedurat kriminale: njërën kundër zyrtarit që më ka ndaluar ilegalisht dhe pastaj më ka rrahur dhe e dyta është për shpifje kundër oficerit që më ka akuzuar me këto akuza qesharake”, theksoi Kasparov.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG