Ndërlidhjet

Obama Asadit: Mos përdor armë kimike!

  • RFE /RL

Siri...

Siri...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka thënë se përdorimi i armëve kimike nga ana e presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, do të ndryshonte kundërpërgjigjen e SHBA-së ndaj krizës.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Obama ka thënë se deri më tash nuk ka urdhëruar ndërhyrjen ushtarake në Siri. Por, ai ka paralajmëruar Asadin dhe “lojtarët e tjerë në terren” se armët kimike do të ishin “linja e kuqe”, që do të ndryshonte mendimin e tij për intervenim.

Do të ketë pasoja enorme nëse ne shohim lëvizje të armëve kimike apo përdorim të tyre”, ka thënë Obama.

Siria, muajin e kaluar, ka pranuar për herë të parë se ka armë kimike dhe biologjike dhe ka thënë se mund t’i përdorë ato në rast të ndonjë “agresioni të jashtëm”.

Regjimi ushtarak i Asadit besohet të ketë gaz të atij lloji që ka përdorur Sadam Huseini kundër Iranit dhe pakicës kurde të Irakut në vitet 1980.

Omaba ka thënë se përdorimi i armëve të tilla do të zgjeronte konfliktin në rajon.

Kjo është një çështje që nuk shqetëson vetëm Sirinë. Ajo shqetëson aleatët tanë të afërt në rajon, përfshirë Izraelin. Ajo na shqetëson neve. Nuk mund të kemi një situatë, ku armët kimike ose biologjike bien në duart e personave të gabuar”, ka thënë presidenti Obama.

Vendet perëndimore dhe Izraeli kanë shprehur frikën se armët kimike dhe biologjike të Sirisë mund të bien në duart e grupeve militante.

Izraeli ka thënë se nëse guerilët e Hezbollahut, grup ky që ka mbështetjen e regjimit sirian, shfrytëzojnë situatën për të marrë kontrollin e armëve, ai do të “veprojë menjëherë dhe me forcë të madhe”.

Brenda Sirisë, në anën tjetër, luftimet kanë vazhduar në disa pjesë të vendit, përfshirë qytetin verior të Alepos, atë të Daras dhe disa lagje të Damaskut.

Kombet e Bashkuara thonë se mbi 19,000 persona kanë humbur jetën në konflikt, shumica nga ta civilë. Trazirat kundër regjimit kanë nisur në mars të vitit të kaluar dhe që atëherë mbi 170,000 sirianë kanë braktisur vendin.(v.t.)
XS
SM
MD
LG