Ndërlidhjet

Siria e kritikon diplomatin Lakdar Brahimi

  • RFE /RL

Lakdar Brahimi

Lakdar Brahimi

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Siri ka përfunduar pa asnjë shenjë të ndonjë kthese madhore për përfundimin e konfliktit në këtë vend.

Mandati i të ashtuquajturit Mision Mbikëqyrës i OKB-së në Siri zyrtarisht ka përfunduar në mesnatën e së dielës.

I krijuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në muajin prill, mendohej se misioni do ta monitoronte armëpushimin dhe implementimin e planit gjashtëpikësh paqësor të propozuar nga i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan.

Por, puna e misionit prej 300 pjesëtarësh ishte suspenduar në muajin qershor dhe një numër i monitoruesve ishte kthyer derisa dhuna ndërmjet kryengritësve të armatosur dhe regjimit të presidentit Bashar al-Asad ishte intensifikuar.

Asnjëra palë nuk i kishte plotësuar kushtet e armëpushimit, që parashihej sipas planit paqësor gjashtëpikësht të Kofi Ananit.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se planifikojnë ta mbajnë të hapur një “zyrë ndërlidhëse” politike në kryeqytetin Damask, për të ndihmuar në përpjekjet për ndërmjetësim e të dërguarit të ri ndërkombëtar në Siri, Lakdar Brahimi.

Ky diplomat veteran nga Algjeria, që më herët ka shërbyer si i dërguar i OKB-së në Afganistan dhe Irak, i tha rrjetit televiziv francez, France 24, në Paris se do të jetë vështirë të arrihet ndonjë armëpushim.

Ka shumë njerëz që thonë se ne duhet t’i shmangemi Luftës Civile në Siri. Por, unë besoj se atje tashmë për një kohë ka Luftë Civile. Ajo që është e domosdoshme është ndalja e Luftës Civile dhe kjo nuk do të jetë e lehtë”, tha Lakdar Brahimi.

Por, këto komente të Brahimit, lidhur me Luftë Civile, janë kritikuar ashpër nga Damasku. Ministria e jashtme e Sirisë tha se “për të folur për Luftë Civile në Siri paraqet kundërthënie e realitetit” dhe shtoi se përshkrime të tilla mund të “gjenden vetëm në kokat e komplotistëve”.

Kjo ministri më tutje ka konstatuar se “nëse i dërguari ndërkombëtar dëshiron që misioni të ketë sukses dhe që Qeveria e Sirisë të bashkëpunojë, ai duhet t’i përmbahet kornizës së miratuar nga Siria”.

Damasku këmbëngulë se po e lufton kryengritjen ndaj “grupeve të armatosura terroriste”, që po mbështeten nga perëndimi, shtetet e Gjirit dhe Turqia.

Njëherësh, zoti Brahimi të hënën është takuar me presidentin e Francës, Fransua Holland në Paris. Pas takimit, zoti Holland tha se nuk mund të ketë zgjidhje politike për krizën e Sirisë, pa largimin e presidentit Bashar al-Asad. Këtë muaj, Franca është kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Raportet nga Siria informojnë se luftimet vdekjeprurëse kanë vazhduar të hënë në disa pjesë të këtij vendi, përfshirë edhe qytetin verior, Alepo, pastaj qytetin Dara, ku kishte filluar kryengritja në mars të vitit 2011, dhe në disa lagje jugore të kryeqytetit Damask.

Dhuna e ashpër i ka shtuar shqetësimet për përhapjen e dhunës në vendet fqinje, Turqi, Jordani, Liban dhe Irak, ku qindra mijëra refugjatë kanë arritur gjatë 17 muajve të kaluar.

Në Turqi, ku tashmë kanë arritur afro 70 mijë refugjatë, ministri i jashtëm Ahmet Davutogllu, tha se Kombet e Bashkuara, mbase duhet ta krijojnë “një zonë të sigurisë” në territorin e Sirisë, për ta vendosur numrin në rritje të civilëve të zhvendosur nga luftimet.

Gazeta turke “Hurriyet” i ka transmetuar fjalët e Davutogllut me të cilat ka kërkuar që Kombet e Bashkuara të ndërtojnë kampe për civilët e zhvendosur “brenda kufijve të Sirisë”, me qëllim që të reduktohet rrjedhja e refugjatëve në Turqi.

Ministri Davutogllu ka thënë se Turqia nuk mund të strehojë më tepër se 100 mijë refugjatë sirianë.

Autoritetet e Turqisë kanë filluar të shpërndajnë ushqim dhe ndihma të tjera humanitare për civilët e zhvendosur sirianë, që mbeten në territorin e Sirisë afër kufirit me Turqinë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG