Ndërlidhjet

SHBA: Dialogu ndihmon integrimin evropian


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Trejsi Xhejkobson, me ministren për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Trejsi Xhejkobson, me ministren për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara që t’i ndihmojnë institucionet e Kosovës që t’i rrisin kapacitetet dhe plotësojnë standard evropiane.

Këtë fakt e ka rikonfirmuar të martën ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Trejsi Xhejkobson, pas takimit me ministren për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku.

Kjo e fundit e ka njoftuar ambasadoren Xhejkobson lidhur me përparimet që Kosova po i bën në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Ambasadorja Xhejkobson ka shprehur kënaqësinë për përparimet që ka shënuar Kosova në proceset integruese evropiane, si dhe besimin në një partneritet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Siç e ka thënë edhe Sekretarja Klinton, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ta ndihmojnë dhe avancojnë të ardhmen evropiane të Kosovës. Ne besojmë fuqishëm se një partneritet i fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mund të ndihmojë në krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Dialogu me Serbinë, është i rëndësishëm në këtë proces po ashtu”, ka thënë ambasadorja Xhejkobson.

Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetëset më të mëdha të procesit të integrimeve evropiane për Kosovën.

Ajo gjithashtu ka theksuar se Kosova ka dhënë disa prova të suksesshme se është e gatshme që të jetë e përfshirë në procesin e integrimit evropian.

Ne kemi thënë shumë herë që procesi i anëtarësimit është po aq i rëndësishëm sa edhe vet akti (i anëtarësimit), sepse përgjatë procesit, Kosova do t’i përmbushë reformat. Përgjatë procesit do të ndodhin transformimet dhe përgjatë procesit ne do të sendërtojmë vlerat dhe parimet evropiane në Kosovë”.

E njoftova ambasadoren që agjenda evropiane, përkatësisht integrimi evropian i Kosovës, është agjenda më konsensuale që kemi ne në Kosovë. Është emëruesi i përbashkët i të gjitha subjekteve politike dhe grupeve etnike”, tha Çitaku.

Konsensusi i gjerë në Kosovë për integrimin e evropian të vendit, siç theksoi ministrja Çitaku, është shtytje e fuqishme për institucionet e Kosovës që të punojnë në këtë drejtim.

Kjo flet qartë që këtë konsensus nominal, ne si institucione, duhet ta dekonstruktojmë në një agjendë pro-aktive, në një agjendë reformash, përmes së cilave do t’ua përmirësonin jetën qytetarëve tanë. Reformat nuk ua kemi borxh as Komisionit Evropian e as Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por reformat ia kemi borxh qytetarit tonë, më shumë se kujtdo tjetër”.

Ndryshe, ambasadorja Trejsi Xhejkobson, kohë më parë ka zëvendësuar ambasadorin e deritashëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell.

Ajo i ka inkurajuar liderët kosovarë që të punojnë për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për Kosovën.

Ndërkaq, zyrtarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane edhe më parë kanë deklaruar se janë afër përmbushjes së kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave.
XS
SM
MD
LG