Ndërlidhjet

logo-print

SHBA mbështet integrimin e Maqedonisë


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë riafirmuar edhe njëherë mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, por, njëkohësisht kanë përsëritur nevojën e përmbushjes së kritereve që dalin nga procesi i integrimit, në veçanti ato që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës dhe lirinë e mediave.

Këto vlerësime janë dhënë nga zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker, pas takimi që pati sot në Shkup me kryeministrin Nikolla Gruevski.

SHBA-të fuqishëm mbështetin integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kjo është politika jonë për Maqedoninë si dhe për tërë rajonin për çka jam përgjegjës në departamentin e shtetit. Është e qartë se dialogu i nivelit të lartë është një mundësi e mirë për të vazhduar të punoni për reformat në sferat, si sundimi i ligjit dhe liria e mediave”.

Këto janë çështje të rëndësishme për të cilat kemi biseduar shumë herë dhe të cilat do të vazhdojnë t’i ngrisin edhe në të ardhmen. Procesi i reformave është një mundësi e mirë andaj edhe inkurajojmë progresin në këtë drejtim”, ka theksuar zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker duke njoftuar se do të ketë edhe një takim me presidentin Gjorgje Ivanov pas atij të një dite më parë në Ohër.

Zoti Riker paraprakisht ka takuar shefin e diplomacisë, Nikolla Poposki.

Maqedonia pret mbështetje edhe më të fuqishme nga SHBA-të për proceset integruese euroatlantike. Në kontekst të çështjes së emrit, Republika e Maqedonisë mbetet e hapur për dialog me fqiun jugor dhe insiston që përmes një qasje më aktive dhe kontrstruktive të tejkaloj pengesën e vetëm të imponuar që bllokon integrimeve euroatlantike”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme.

Detaje tjera nga takimet e diplomatit të lartë amerikan me zyrtarët shtetëror nuk janë dhënë ndërkohë që njohësit e zhvillimeve politike nuk përjashtojnë mundësinë që në këto takime të jetë biseduar apo të bisedohet edhe për çështjet ndëretnike në veçanti lidhur me reagimeve të shumta pas hartimit nga ana e VMRO-DPMNE-së të një ligji me të cilin do të ketë përfitime të shumta për ish-prestarët e forcave të sigurimit që kanë pësuar nga konflikti i vitit 2001, por jo edhe për ish-pjestarët e UÇK-së siç insiston partia shqiptare në qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ndoshta do të ketë edhe presion të butë apo edhe më të fortë ndaj elitës politike në Maqedoni për një depërtim më të fuqishëm në dy sfera siç janë marrëdhëniet ndëretnike e që u theksuan edhe në komunikatën e fundit të ambasadës amerikane dhe sfera e dytë është ajo se si të ndikohet në zgjidhjes së kontestit me Greqinë”, u shpreh Denko Maleski, profesor universitar dhe ish Ministër i Punëve të Jashtme.

Ndryshe, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker në Maqedoni do të qëndroj deri më 25 gushtë. Gjatë ditëve në vijim do të ketë takime edhe me liderët e partive kryesore politike.
XS
SM
MD
LG