Ndërlidhjet

Project Syndicate: Lufta e ftohtë e mediave


Ilustrim

Ilustrim


“Një luftë e informacionit ka shpërthyer rreth botës. Linjat e betejës janë tërhequr në mes të atyre qeverive që e shohin rrjedhën e lirë të informacionit, dhe qasjen në të si një çështje themelore të të drejtave të njeriut, dhe ata që e konsiderojnë kontrollin zyrtar të informatave si prerogativë thelbësore sovrane”, shkruan në një artikull të botuar sot, Project Syndicate.

Gara, sipas autores së shkrimit, Ane Mari Slater, po zhvillohet institucionalisht në organizatat si Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) dhe në baza të përditshme në vendet si në Siri.

Në artikull citohet sociologu Filip Hauard që së fundmi ka përdorur termin “luftë e re e ftohtë” për të përshkruar “betejën mes mediave transmetuese dhe shfaqjes së mediave sociale, të cilat kanë qasje shumë të ndryshme nga ajo e prodhimit të lajmeve, pronësisë, dhe censurës.”

Në artikull argumentohet se mediat sociale për dallim prej mediave tradicionale, po shndërrohen në mbikëqyrës të punës së qeverive, dhe është vështirë të mbyllen a censurohen, pa mbylljen e plotë të internetit.

Duke vëzhguar luftën në mes të mediave transmetuese dhe atyre sociale në Rusi, Siri, dhe Arabi Saudite, Hauard konkludon se, pavarësisht kulturave të ndryshme të mediave të tyre, të tri qeveritë fuqishëm mbështesin transmetimin e kontrolluar nga shteti.

Por, Project Syndicate, shkruan se një ndryshim edhe më i thellë ka të bëjë me çështjen themelore se kush e zotëron i pari informacionin.

Në këtë kuadër, citohet sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton e cila në vitin 2010 deklaroi se Shtetet e Bashkuara “mbështesin një internet ku i tërë njerëzimi ka qasje të barabartë në informata dhe ide."

Ndërkaq, vendosmërinë e shumë qeverive për të “ngritur barriera elektronike” në mënyrë që të bllokojnë përpjekjet e qytetarëve për t’iu qasur burimeve të plota në internet, Klinton e sheh si “një perde që po bie mbi informacionin në botë”.

Project Syndicate vë në pah se kjo luftë e madhe po luhet në shumë vende, duke përfshirë edhe ITU-n, që do të mbledh 190 vende në Dubai në muajin dhjetor për të rinovuar një traktat ndërkombëtar të telekomunikacioneve të miratuar në vitin 1988.

Edhe pse shumë nga detajet e traktatit janë teknike, qeveritë e ndryshme kanë paraqitur propozime për të ndryshuar traktatin që përfshijnë dispozita të cilat synojnë lehtësimin e censurës së qeverive në internet.

Presidenti rus Vlladimir Putin ka thënë hapur dëshirën e tij për të përdorur ITU “për të vendosur kontroll ndërkombëtar” mbi internet.

Në terren, shkruan Project Syndicate, qeveritë shpesh fokusohen në bllokimin e informacionit në lidhje me aktivitetet e tyre. Një nga lëvizjet e para të qeverisë siriane ka qenë dëbimi i të gjithë gazetarëve të huaj.
Shembuj të tillë artikulli sjell edhe nga qeveria e Taxhikistanit që ka bllokuar Youtube në një rajon të largët ku qeveria po lufton me një grup opozitar apo rastin e qeverisë kineze e cila ndaloi të gjithë gazetarët e huaj të shkonin në Tibet, kur ndërmori një aksion ndaj protestuesve para Olimpiadës së vitit 2008.

Në këtë rritje të luftës së informacionit, forcave pro lirisë dhe informacionit iu duhet armë e re, shkruan Project Syndicate, duke potencuar se ato qeveri që bllokojnë gazetarët apo informacionet, japin shenja paralajmëruese për shumë abuzime brenda shtetit.

“Amerikanët thonë se drita e diellit është dezinfektuesi më i mirë. Qasja e qytetarëve te informacionet është mjeti më thelbësor për t’i mbajtur qeveritë përgjegjëse. Përpjekjet e qeverisë për të manipuluar ose bllokuar informacionin duhet të shihen si abuzim i pushtetit, dhe si maskim për shumë abuzime të tjera”, thuhet ne artikullin e Project Syndicate.


Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG