Ndërlidhjet

logo-print

Guardian: E tëra ka të bëjë me paranë


Hillari Klinton dhe Angela Merkel

Hillari Klinton dhe Angela Merkel


E publikuar një ditë më parë, lista për femrat më të fuqishme e revistës amerikane Forbes nxiti reagimet e para të shtypit botëror.

Rangimi i kancelares gjermane, Angela Merkel, në krye të listës pasuar nga femra të tjera “të suksesshme në botë” si Oprah Vinfri që listohet në vend të 11 apo modelja Zhizel Byndhen në të 83-in, sipas së përditshmes britanike The Guardian ka si kriter bazë paranë.

“Paraja është ajo që i vë ato në listën e Forbes-it-mundësia për ta fituar e kontrolluar atë dhe ndikimi në mënyrën se si të tjerët e shpenzojnë atë”, shkruan gazeta për të shtruar pyetjen “A është kjo e tëra që përbën fuqinë?”

“I tërë ky listim dhe kategorizim duket se bën të kuptojë që nuk ka ndonjë mënyrë për definimin e fuqisë. Njeriu madje s’ka nevojë as të jetë i gjallë. Nëse e definojmë atë në aspektin e ndikimit, Virgjëresha Mary do të ishte një konkurrente e fuqishme. Forbes përqendrohet në të tashmen”, shkruan The Guardian.

Në shkrimin e së përditshmes britanike theksohet se shumica e femrave të listës “kanë luftuar gjatë rrugës së tyre deri në krye të fushave të dominuara nga meshkujt…por se pjesa dërrmuese e njerëzve s’e kanë idenë se kush janë ato”.

“E gjithë kjo bisedë rreth fuqisë natyrisht se është e natyrës kapitaliste. Mund të thoni se fuqia, të cilën synojnë shumica e këtyre femrave, qëndron në aftësinë e tyre për të na shtyrë të blejmë gjëra-kryesisht duke u zhytur në strukturat e fuqive të krijuara nga meshkujt, që është në kundërshtim të rrymave dytësore feministe”, thekson The Guardian.

Lista e 100 femrave më të fuqishme, sipas Forbes, është bërë në bazë të ndikimit, sasisë së parave që kontrollojnë ose fitojnë dhe prezencës në media.

“Këto gra të fuqishme ushtrojnë ndikim në mënyra të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme”, tha, ditë më parë, Moira Forbes, presidente e “ForbesWoman”.

Por, e përditshmja britanike The Guardian supozon se mund të jetë marrë per bazë një tjetër aspekt në përcaktimin e fuqisë.

“Një definicion tjetër i sipërfaqësor i fuqisë mund të jetë se ajo i takon atyre që përshpejtojnë ndryshimin e vërtetë shoqëror. Kjo është problematike nëse merret parasysh së shumë (femra) në listë e vazhdojnë vendnumërimin në status quo”, shkruan gazeta.

“Faktor i përbashkët i këtyre femrave nuk është dëshira për ndryshime, por diçka që i përshtatet Forbes-it, paraja. Paraja-mundësia për ta fituar atë, për ta kontrolluar atë (nganjëherë edhe në mënyrë filantropike), për të manipuluar më të dhe për të ndikuar në mënyrës se si të tjerët e shpenzojnë atë. Vërtetë shumë e thjeshtë”, thekson e përditshmja The Guardian në shkrimin e saj.



Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu
Përgatiti: Edona Peci
XS
SM
MD
LG