Ndërlidhjet

logo-print

Oslo: Breivik përgjegjës, dënohet me 21 vjet burgim

  • RFE /RL

Një gjykatë norvegjeze e shpalli fajtor për vrasje masive Anders Bering Breivik dhe e dënoi atë me 21 vite burg pas një sulmi me bombë dhe armë zjarri nga i cili humbën jetën 77 njerëz në vitin e kaluar.

Pesë gjykatësit e Gjykatës së Qarkut në Oslo deklaruan unanimisht se 33 vjeçari Breivik është në gjendje të rregullt psikike për ta vuajtur dënimin.

Dënimi me 21 vjet burg është dënimi më i lartë në Norvegji, ku nuk jepen dënime me burgim të përjetshëm.

Nga masakra ne Utoja...

Nga masakra ne Utoja...

Ai, megjithatë, mund të zgjatet më vonë në rast se verifikohet që Breivik ende paraqet rrezik për publikun.

Breivik pat pranuar se më 22 korrik të vitit 2011 ka kryer sulmet, gjatë të cilave ai aktivizoi një bombë jashtë ndërtesës së qeverisë në Oslo duke vrarë tetë njerëz para se të zbatonte sulmin me armë zjarri për të vrarë 69 njerëz në një kamp veror.

Sulmet ishin më të dhunshmet që mban mend historia e Norvegjisë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë gjykimit, Breivik u përpoq t’i justifikojë vrasjet duke thënë se partia qeverisëse Partia e Punëtorëve po shkatërronte Norvegjinë dhe trashëgiminë e saj duke inkurajuar migrimin e myslimanëve në këtë shtet.

Qëndroj prapa asaj që kam bërë dhe do ta bëja sërish”, pat thënë ai në deklaratën e tij para gjykatës.

Të premten, fytyra e Breivikut la të kuptohej se është falur kur gjykatësja Venke Elisabet Arntcen lexoi vendimin.

Vendimi është unanim dhe vjen pas këtyre konkluzave: Anders Bering Breivik, i lindur më 13 shkurt 1979 dënohet për shkelje të Kodit Penal…me 21 vite burg”, tha ajo.

Prokurorët kishin kërkuar një vendim, me të cilin ai do të shpallej i çmendur dhe do të dënohej me trajtim psikiatrik.

Por, vet Breivik kishte këmbëngulur në gjendjen e tij të rregullt psikike duke thënë se ka dëshiruar që sulmi të shihej si shpërfaqje e qëndrimit të tij politik kundër multikulturalizmit.

Sulmuesi norvegjez pat thënë se do të paraqiste ankesë në gjykatë po që se shpallej “i çmendur”-dënim që sipas tij “është më i keq se sa vdekja”.

Po ta kishte shpallur gjykata atë “të çmendur” dhe ai do të ishte ankuar, i tërë gjykimi do të duhej të përsëritej.

Përkujtimi i viktimave...

Përkujtimi i viktimave...

Pjesa dërrmuese e të afërmve të viktimave ishin shprehur gjithashtu kundër vendimit për ta deklaruar atë “të çmendur” meqë më këtë vendim do të ishte zbehur përgjegjësia e Breivikut dhe do t’i hapej rruga një gjykimi të dytë.

Ekipe të ndara të psikiatërve të emëruar nga gjykata kishin ardhur në konkluzione të ndryshme lidhur me shëndetin mental të Breivikut-njëri ekip e shpalli atë të çmendur, ndërsa tjetri tha se është në rregull gjendja e tij shëndetësore.

Një avokat i viktimave të masakrës, Frode Elgesem, mirëpriti vendimin e së premtes duke thënë se me të do të mbyllet kapitulli gjyqësor edhe për familjarët.

Edhe qytetarët e Oslos, në reagimet e tyre të para dhënë agjencisë së lajmeve Reuters e cilësuan pozitiv vendimin e gjykatës.

Sindra Hauglund, një qytetar u shpreh:

Ishte një shok aq i madh për shumicën e norvegjezëve kur pat ndodhur kjo (vrasjet e kryera nga Breivik në korrik të 2011-ës). Mendoj se ky (vendim) është një lehtësim për këdo. Mendoj se është pozitiv për të gjithë norvegjezët”, tha ai.

Beate Amundsen Korren, një qytetare foli për reagimin e Breivikut pas shpalljes së vendimit.

Ne jemi mësuar me reagimet e tij. Nuk mendoj se njerëzit do ta vrasin aq shumë mendjen për këtë. Ne, populli, e kemi dashur këtë vendim dhe ai do të na japë një mundësi të re t’a heqim qafe atë dhe ta kemi prapa grilave”, theksoi ajo.

Përgatiti: Edona Peci

Trego komentet

XS
SM
MD
LG