Ndërlidhjet

Qendra Klinike Universitare e Kosovës po përballet me mungesë të theksuar të barnave nga lista esenciale.

Klinikës anesteziologjike, i mungojnë ilaçet bazë për ta futur pacientin në sallë operative.

Drejtori i kësaj klinike, Nehat Baftiu, pohon se edhe rastet urgjente duhet t’i sigurojnë vetë barnat.



Edhe rastet urgjente duhet t’i blejnë vetë barnat. Duhet familjarët të shkojnë t’i blejnë. Nëse shpëton pacienti deri sa t’i sjellin familjarët, mirë, nëse jo, atëherë asgjë. Ne e kemi mundësinë vetëm të bëjmë kërkesa, dhe ne ato i bëjmë për çdo ditë, por ne nuk po pranojmë barna”, bën të ditur Baftiu për Radion Evropa e Lirë.

Ai përmend barnat e domosdoshme që kjo klinikë ishte dashur t’i posedojë, derisa ato mungojnë...

Në klinikën e anesteziologjisë na mungojnë shumë barna. Kohën e fundit ndihet mungesë e barnave. Te ne mungojnë infuzionet, hemacell, natrium kloridi, ringeri, gjilpëra nuk ka, barnat ranitidin, senobarbitoni, centanili, efedrina, metropololi, verapamili, glykoza e shumë tjera. Këto na duhen për sallë patjetër, para se të hyjë pacienti”.

Por jo edhe ushtruesi i detyrës së sekretarit permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Gani Shabani, është në dijeni për krizën që Qendra Klinike Universitare po kalon. Ai e thotë të kundërtën.

Departamenti i farmacisë ka furnizuar dje klinikat. Për herë të parë ka kaluar shifrën mbi 83 për qind me barna nga lista esenciale”, shprehet Shabani.

Por, zoti Baftiu thotë se edhe përkundër kërkesës së bërë për furnizim me barna, me javë të tëra ilaçet nuk janë pranuar.

Ne vetëm kërkesat i bëjmë, dhe furnizimi më është lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë është zero, asnjë bar nuk e kemi pranuar. Dhe ka javë që këto gjëra na mungojnë. Ata që sëmuren duhet t’i blejnë vetë, por ne e kemi mjekimin intensiv, dhe aty duhet pacientët të rrinë me javë, dhe gjitha barnat me t’i blejnë vetë, e është shumë ngarkesë për buxhetin familjar”, thotë Baftiu.

Edhe vetë drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, thotë se nuk janë të kënaqur me furnizim, derisa shton se problemi qëndron te procedurat e tenderëve për furnizim.

Furnizimi nuk është i kënaqshëm, por nuk është edhe i keq. Ministria e shëndetësisë është duke i udhëhequr procedurat e tenderit për furnizim me barna për këtë vit, dhe besoj se shumë shpejt do të kryhen. Ndryshimet që kanë ndodhur në fillim të vitit, dhe tash janë emëruar drejtorë të rinj, që normalisht paraqesin pengesa e që reflektojnë në mosfurnizim të mjaftueshëm, e kështu me radhë”, thekson Gashi.

Sidoqoftë, hetimet që kanë ndodhur kohët e fundit në Ministrinë e Shëndetësisë, duke rezultuar me aktakuza të ngritura kundër sekretarit permanent, Ilir Tolaj, dhe 11 personave të tjerë brenda këtij institucioni, kanë bërë që të destabilizohet puna aty, andaj edhe procedurat si kjo, me tenderë për furnizim me barna, ka stagnuar.

Qendra emergjente brenda QKUK-së, sipas udhëheqësit, Basri Lenjani, është pak më e favorizuar në krahasim me klinikat tjera, por edhe aty mungesa e barnave esenciale është evidente.

Në klinikën emergjente në QKUK-së, gjithmonë është shprehur gatishmëri që shërbimet emergjente të jenë nyja e parë për furnizim, si me materiale shpenzuese edhe me barna. Listat esenciale duhet t’i sigurojë shteti, por që disa nga to mungojnë”, sqaron Lenjani.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG