Ndërlidhjet

Prodhimi të zëvendësojë tregtinë


Prodhime kosovare
Prodhime kosovare
Vizioni ekonomik i Kosovës duhet të jetë i orientuar nga sektori i prodhimit, thanë përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq politikat fiskale dhe ligjet në fuqi duhet të jenë në favor të zhvillimit ekonomik, duke mbështetur sektorin privat, konkretisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Safet Gërxhaliu, udhëheqës në Odën Ekonomike të Kosovës, tha se sektori i prodhimit ballafaqohet me probleme të mëdha.

“Kemi pasur një diskrepancë, sa i përket mundësive për të avancuar sektorin prodhues në Kosovë, kemi pasur një konkurrencë jolegale, e cila vjen nga vendet e ndryshme, falë disa arsyeve, qoftë ndryshimit ose përkrahjes së kompanive të vendeve të rajonit, që përmes subvencioneve të ndryshme të jenë aktive në tregun kosovar dhe të dëmtohet prodhimi kosovar”.

“Shumë herë ka qenë shqetësuese fakti se në komunitetin e biznesit është shpërndarë një informatë, jo e mirë, se në Kosovë është më lehtë dhe më mirë të tregtohet se sa të prodhohet”, u shpreh Gërxhaliu.

Në një konferencë për media, me temë “Stimulimi dhe mbrojtja e prodhimit vendor në kontekstin e krizës së vitit 2012” Gërxhaliu, tha se edhe ndryshimet në politikën fiskale duhet të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik, veçanërisht rritjen e numrit të të punësuarve dhe mirëqenies sociale të qytetarëve.

Gërxhaliu tregoi se Oda Ekonomike, ka marrë rekomandimet e mbi 6500 përfaqësuesve të kompanive vendore, se çka duhet të përmbajë pakoja e re fiskale.
...krahas ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Financave, në projektligj duhet të përfshihen edhe propozimet e bizneseve nga sektori privat.


“Oda Ekonomike e Kosovës, konsideron se për arritjen e objektivave strategjike për krijimin e një ambienti të favorshëm dhe konkurrent të bizneseve dhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, krahas ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Financave, në projektligj duhet të përfshihen edhe propozimet e bizneseve nga sektori privat” , theksoi Gërxhaliu.

Ministria e Financave në kuadër të hartimit të pakos së re fiskale, ka përgatitur projektligjin për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor.

Menderes Ibra, këshilltar në këtë ministri, tregon se tashmë kanë përfunduar procesin e konsultimit me të gjitha shoqatat e biznesit dhe që janë marrë për bazë rekomandimet e tyre.

Ai për Radion Evropa e Lirë, tha se përmes këtij projektligji do të krijohet një ambient më i favorshëm për zhvillimin e biznesit duke ofruar lirime doganore për mallrat që shfrytëzohen si lëndë e parë dhe nuk prodhohen në Kosovë.

“Në kuadër të angazhimeve të Ministrisë së Financave, në reformimin e politikave fiskale këtë vit, përveç shumë veprimeve administrative dhe vendimeve që tashmë janë ndërmarrë dhe për të cilat kemi njoftuar opinionin, këto ditë është duke u ndërmarrë edhe përfundimi i projektligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor”, bëri të ditur Ibra.

Ka vjet që afaristët kosovarë kanë kërkuar nga autoritetet kompetente që t’i ndryshojnë politikat fiskale, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e veprimtarive të tyre.

Ndërkaq, ekzekutivi i vendit, muajin e kaluar ka hequr Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar për media, universitet private dhe shërbimet spitalore.
XS
SM
MD
LG