Ndërlidhjet

Shkup: Përshëndetet uniteti i partive shqiptare


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Ligji i propozuar nga VMRO-DPMNE që parasheh një varg benifitesh për ish forcat shtetërore të sigurisë të përfshira në konfliktin e armatosur të vitit 2001, nga e enjtja ka hyrë në procedurë parlamentare dhe për të njëjtin pritet që komisionet përkatëse të debatojnë brenda 10 ditëve të ardhshme.

Ndërkohë, partia shqiptare në pushtet BDI, edhe më tej mbetet në qëndrimin se do të braktisë qeverinë nëse ligji nuk do të përfshijë beneficione edhe për ish pjesëtarët e UÇK-së.

Në këtë drejtim, sektori civil dhe analistët politikë, vlerësojnë si hap shumë pozitiv vendimin e Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë që të mbështesë Bashkimin Demokratik për Integrim në mbrojtjen e dinjitetit shqiptar dhe të ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!” ka mirëpritur nismën për unifikim të partive politike parlamentare në rezistencën ndaj kësaj përpjekjeje të padrejtë dhe tendencioze për të nëpërkëmbur shqiptarët.

Bekm Hoxha nga kjo organizatë, shpreson që edhe faktorët tjerë të shoqërisë, përfshirë edhe komunitetin maqedonas, do t’i bashkëngjiten frymës së Maqedonisë së Re, të pas vitit 2001, duke pranuar realitetin e ri që do ta çojë vendin para integrimeve euroatlantike.

Të gjitha subjektet tjera politike, qytetarët, duhet t’i bashkërendisin interesat në mbrojtje të vlerave kombëtare. Ngase kryeministri Gruevski, në vend që të tregohet lider njëherë në jetën e tij politike dhe të rreshtohet i pari në Sllupçan para të rënëve në vitin 2001 për t’i shprehur nderimet e tija duke i prirë pajtimit, mirëbesimit dhe tolerancës, thotë që nuk do të lejojë ofendime të dinjitetit të maqedonasve. Të qenit Kryeministër vetëm i maqedonasve dhe për të mbrojtur vetëm interesat e tyre, është e papranueshme dhe nuk guxon të vazhdojë ose edhe të përsëritet”, thekson Hoxha.

Edhe organizata joqeveritare ILIRICUM LIBERTAS nga Tetova e ka përshëndetur mbështetjen e PDSH-së për BDI-në, në mbrojtje të bllokimit të ligjit të propozuar nga VMRO-DPMNE, që përjashton benificione edhe për ish pjesëtarët e UCK-së, duke shpresuar se ky bashkërendim mbetet faktori politik shqiptar dhe do të vazhdojë edhe në sferat tjera.

E mendojmë këtë si shenjë e mirë që përcakton rrugën e realizimit të interesave të shqiptarëve por, kërkojmë që në të ardhmen edhe për çështjet tjera madhore me interes për shqiptarët, si ajo e simboleve, përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, të kemi qëndrime të këtilla, pra të unifikuara, të përbashkëta të faktorit politik shqiptar”, thekson Valon Kurtishi drejtues i OJQ-së ILIRICU LIBERTAS.

Ndërkaq, Mersim Maksuti ekspert për çështje juridike, thotë se bashkërendimi i qëndrimeve të partive politike shqiptare, kur bëhet fjalë për çështjet me interes për shqiptarët, rritë peshën e votës së deputetëve shqiptarë, duke i hapur rrugë mundësisë që njëherë e përgjithmonë të mbyllen çështjet që janë me interes për shqiptarët e Maqedonisë.

Kjo njëherazi paraqet edhe një mesazh se si duhet shqiptarët në të njëjtën kohë, qofshin në opozitë, ose pushtet, të veprojnë bashkërisht gjithmonë kur paraqitet nevoja kruciale rreth çështjes shqiptare në Maqedoni. Politikën ata le ta bëjnë ndaras dhe le të veprojnë ndaras rreth rregullave të veprimit politik që i njeh demokracia, por kur diskutohet për çështjen kombëtare, ata duhet të jenë të unifikuar dhe të përdorin strategjinë e përbashkët për arritjen e synimeve, sepse kombi është mbi interesat e partisë dhe mbi të gjitha”, vlerëson Maksuti.

Ndryshe, këto reagime vijnë pas deklaratës së liderit të opozitës shqiptare Menduh Thaçi, se do të mbështesë tentimet e BDI-së për ta parandaluar miratimin e ligjit, i cili, siç ka theksuar ai, është shumë i keq.

Po sipas Thaçit, nëse BDI mendon se ky proces mund të bllokohet përmes zgjedhjeve të parakohshme, ai është shprehur i gatshëm që të ulet për të biseduar e si të dilet nga kjo situatë.
XS
SM
MD
LG