Ndërlidhjet

Ka unitet për ndryshimet kushtetuese para 10 shtatorit


Ceremonia e nënshkrimit të Kushtetutës së Kosovë

Ceremonia e nënshkrimit të Kushtetutës së Kosovë

Spektri politik në Kosovë ka unitet të mjaftueshëm për miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar unitet të spektrit politik para fazës përmbyllëse të pavarësisë së mbikëqyrur.

Ai ka kërkuar vendime të përbashkëta, sidomos në lidhje me miratimin e amendamenteve kushtetuese, të domosdoshme që më 10 shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën të vendosë mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe transferimin e kompetencave tek autoritetet vendase.

Megjithatë, edhe pas mbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare, institucionet e Kosovës pritet që të miratojnë edhe vazhdimin e misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX.



Kryeministri ka kërkuar edhe nga qeveria e tij që të bëhen përgatitjet për ditën e 10 shtatorit, ndërkaq ka thënë se pret që i gjithë spektri politik t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë.

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Ne mund të kemi sukses të plotë, me filozofinë e unitetit politik dhe qytetar, për çka nuk dyshoj në skenën politike kosovare. Tani jemi në koordinim me spektrin politik, në mënyrë që ndryshimet kushtetuese të nevojshme për përmbylljen e mbikëqyrjes të pavarësisë, të kalojnë me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës, në shtator të këtij viti”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Përveç partive të koalicionit qeverisës, edhe dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë deklaruar se do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese për fundin e mbikëqyrjes, ndërkaq pritet të shihet se çfarë pozicioni do të mbajë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka qenë që nga fillimi kundër vetë mbikëqyrjes dhe planit të Ahtisarit, si marrëveshje e autoriteteve kosovare me partnerët ndërkombëtarë për statusin e Kosovës.

Thirrjet e kryeministrit Thaçi për unitet politik, janë vlerësuar si pjesë e demagogjisë politike nga ana e partisë më të madhe opozitare – LDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ismet Beqiri, ka thënë se në opinion është krijuar pa nevojë një ngatërrim mes amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe amendamenteve që kanë të bëjnë me ndryshimin e kompetencave për presidentin e Kosovës.

Sipas Beqirit, LDK-ja mbështet përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe në këtë frymë edhe do të votojë në seancën e Kuvendit, ku kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve.

Ismet Beqiri

Ismet Beqiri

Amandamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, do t’i mbështesim, por këto nuk kanë lidhje me marrëveshjen dhe në këto amendamente bëjnë pjesë çështjet që ndërlidhen me presidenten. Ky është një proces i ndarë. Amandamentet kushtetuese nga marrëveshja e liderëve nuk do t’i përkrahim nëse marrëveshja nuk respektohet në tërësi”, ka thënë Beqiri.

Vota e LDK-së për amendamentet kushtetuese për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare, sipas Ismet Beqirit, nuk nënkupton edhe votën e saj për ndryshimet kushtetuese për kompetencat e presidentit dhe reformat zgjedhore, pasi që këto ndryshime kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes ndërmjet liderëve politikë, e cila do të mbetet objekt diskutimi edhe gjatë fillimit të fazës së pavarësisë së plotë.

Mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë, ishte pjesë e marrëveshjes ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar (SHBA-së, vendeve të BE-së që e kanë njohur Kosovën dhe Turqisë), në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të mbikëqyrte nga afër përmes Zyrës Civile Ndërkombëtare zbatimin e marrëveshjes për statusin (Pakon e presidentit Ahtisari), sidomos në pikat që kanë të bëjnë me pakicat.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG