Ndërlidhjet

Opozita siriane paralajmëron katastrofë në Homs

  • RFE /RL

Siri...

Siri...

Grupi kryesor i opozitës siriane u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe që të ndërhyjnë për të parandaluar “katastrofën” në provincën Homs.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Sirisë, Naji Taira, ka thënë se banorët e Homsit janë të rrethuar për më shumë se 80 ditë nga forcat e regjimit dhe se rrugët e furnizimit janë ndërprerë.

Homsi, kryeqendër e revoltës kundër presidentit Bashar al-Asad, ka parë disa nga betejat më të ashpra ndërmjet trupave qeveritare dhe forcave opozitare në muajt e fundit.

Thirrja për ndërhyrje vjen në kohën kur i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakdar Brahimi, përgatitet të rinisë përpjekjet për ndërmjetësimin e paqes në këtë vend.

Brahimi ka takuar në Nju Jork sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun.

Vizita e diplomatit algjerian ka qenë paraqitja e parë publike e tij prejse ka pranuar detyrën për të negociuar fundin e luftës civile në Siri.

Ai ka thënë se ishte “i nderuar, i përulur dhe i frikësuar” kur është kontaktuar nga zoti Ban, në lidhje me këtë detyrë.

“Sekretar i përgjithshëm, kur më keni thirrur, ju kam thënë se kam qenë i nderuar, i përkulur dhe i frikësuar. Unë vazhdoj të ndjehem kështu. Por, do të përpiqem të bëj më të mirën. Do t’iu shpërbej Kombeve të Bashkuara dhe ju, Ligës Arabe dhe zotit Nabil Elarabi, por, mbi të gjitha, popullit sirian”, ka thënë Brahimi.

Sipas Brahimit, paraardhësi i tij, Kofi Anan, ka dështuar në këtë mision, sepse “komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë mbështetës sa do të duhej të ishte”.

Ban ka thënë se Brahimi ka mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës në Siri.

“Jam thellësisht i shqetësuar, ashtu si edhe ju, ashtu si edhe anëtarët e komunitetit ndërkombëtar, për shkak të vazhdimit të luftimeve. Sa më gjatë që të vazhdojnë luftimet, aq më shumë njerëz do të vdesin, aq më shumë njerëz do të vuajnë. Në këtë drejtim, kontributi juaj, udhëheqja juaj do të jetë shumë e rëndësishme”, ka thënë Ban.

Në ndërkohë, Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) ka bërë të ditur se më shumë se 200,000 sirianë janë larguar për në vendet fqinje, duke tejkaluar parashikimet e mëhershme.

Numri më i madh i tyre ndodhet në Turqi, Liban, Irak dhe Jordani.

Zëdhënësi i UNHCR-së, Adrian Eduards, ka thënë se agjencia duhet të rishikojë planet e saj.

“Ka pasur rritje dramatike dramatike të numrit të refugjatëve sirianë gjatë muajit gusht. Andaj, duhet të rishqyrtojmë planet”, ka thënë Eduards.

Agjencia për Fatkeqësi dhe Emergjenca e Turqisë ka bërë të ditur se më shumë se 3,500 refugjatë nga Siria kanë hyrë në shtetin turk vetëm gjatë 24 orëve të fundit.

Brenda Sirisë, luftimet kanë vazhduar edhe sot, me intensitet të shtuar në Alepo dhe Damask.

Trazirat në këtë vend ka nisur qysh në mars të vitit të kaluar. Kryengritësit rebelë duan ndryshimin e regjimit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG