Ndërlidhjet

Polemikat, manovër e Qeverisë maqedonase


Qeveria e Maqedonisë (Foto nga arkivi)

Qeveria e Maqedonisë (Foto nga arkivi)

Asnjë shenjë për zgjidhjen e krizës qeveritare nuk ka rezultuar në takimin e së premtes mbrëma mes partnerëve të koalicionit qeveritar, kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Kreu i partisë shqiptare në Qeveri, sipas njoftimeve nga BDI-ja, i ka përsëritur qëndrimin kryeministrit Gruevski se koalicioni do të rrezikohet nëse VMRO DPMNE-ja miraton projekt-ligjin për zhdëmtimin e pjesëtarëve të forcave të sigurimit, pa përfshirë në të edhe familjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së që kanë pësuar në vitin 2011.

Dy liderët, në takimin e së premtes kanë mbrojtur qëndrimet që çuan në paraqitjen e krizës qeveritare: Ahmeti aktin e Fatmir Besimit, i cili, në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, ishte përkulur para një qendre memoriale të UÇK-së, ndërsa Gruevski projekt-ligjin për forcat e sigurimit që erdhi si kundërpërgjigje ndaj veprimit të Besimit.

Por, njohësit e zhvillimeve politike besojnë se kriza qeveritare nuk është edhe aq serioze, siç e paraqesin dy partitë, pasi, sipas analistit Arsim Zekolli, çështja që ka tensionuar raportet është e pranishme tash dhjetë vjet, por, që aktualizohet varësisht nga nevojat e partive.

“ Nëse e krahasojmë situatën me atë të para disa ditëve, kur pritej çdo moment dalja prej Qeverie, tani BDI-ja sikur hyn në një cikël të vjetër dhe mirë të njohur të bisedave të pafundme dhe gjoja të kushtëzimeve të ndërsjella".

"Por, me këtë operacion, faktikisht Gruevski dhe Ahmeti rikthejnë kontrollin mbi situatën, e cila sikur u cenua, si nga protestat e LSDM-së, ashtu edhe nga zhvillimet e muajve prill dhe maj. Besoj se kjo lojë, tërhiq e mos këput, do të vazhdojë deri në ciklin e ardhshëm zgjedhor”,
shprehet Zekolli, duke shtuar se bëhet fjalë për një manovër të sofistikuar mes partnerëve qeveritar për të mbajtur situatën nën kontrollin e tyre.

“Logjika e thjeshtë politike dikton që çdo gjë që ndodh gjashtë muaj para zgjedhjeve, nuk është spontane, por një manovër fenomenale e Qeverisë VMRO-DPMNE dhe BDI, për të tërhequr vëmendjen nga iniciativa e opozitës edhe e LSDM-së, por edhe e PDSH-së që vëmendja në fushatën elektorale të përqendrohet nga çështje sociale, ekonomike dhe dështimet e pamohueshme të kësaj Qeverie”, deklaroi Zekolli.

Analisti Zdravko Savevski thotë se si BDI-ja, ashtu edhe VMRO DPMNE-ja, po përballen me rënie të popullaritetit ,andaj beson se e gjithë kjo bëhet për të fituar pikë politike, pasi, sipas Savevskit, asnjërës parti nuk i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme.

“Dy partitë po përballen me rënie të popullaritetit, i cili para së gjithash është evident te VMRO-DPMNE. Kjo mund të jetë edhe pasojë e shpërqendrimit të vëmendjes nga çështjet tjera, por kjo nuk mund të thuhet me saktësi. Pra, besoj se dy partitë ashtu si në të kaluarën edhe tani do të arrijnë të gjejnë zgjidhje dhe të shmangin zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thotë analisti Zdravko Savevski.

Ndryshe, polemikat mes partnerëve qeveritarë edhe nga partitë opozitare janë vlerësuar si të orkestruara, por, pavarësisht kësaj, dy blloqet politike tashmë janë pozicionuar në baza etnike.

PDSH-ja i ka dhënë mbështetje BDI-së në kundërshtimin e miratimit të ligjit për forcat e sigurimit, ndërsa LSDM-ja ka thënë se do të mbështesë ligjin që u garanton pensione, punësime, shkollim dhe trajtim shëndetësor pa pagesë dhe shumë favore tjera pjesëtarëve maqedonas të forcave të sigurimit që kanë pësuar në konfliktin e para 11 vjetëve në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG