Ndërlidhjet

Holland e do Greqinë në Eurozonë


Greqi
Greqi
Pas Gjermanisë, edhe Franca ka këmbëngulur se Greqia duhet të mbetet në Eurozonë, por duke mos anashkaluar kërkesat e saj për shkurtim të deficitit buxhetor dhe reforma.

“Duhet t’i japim fund pyetjes për Greqinë në Eurozonë. Kjo për mua nuk është një çështje. Greqia është në Eurozonë dhe duhet të mbetet në Eurozonë”, ka thënë presidenti francez, Fransua Holland, gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin grek, Antonis Samaras.

Duke u shfaqur së bashku me Hollandin pas takimit të tyre në Paris, Samaras është zotuar se “Greqia do t’ia dalë dhe do të mbetet në Eurozonë”.

“Disa vënë bast se Greqia nuk do t’ia dalë. Unë jam këtu për të siguruar presidentin francez se Greqia është e përcaktuar për t’ia dalë dhe do t’ia dalë. Ajo do të bëjë gjithçka të mundur për të tejkaluar këtë krizë, për të mbetur në Eurozonë dhe për të luajtur rolin që meriton në integrimin evropian”.

“Unë jam i sigurt se një sukses i tillë i Greqisë do të luajë rol edhe më të gjerë - do të tregojë se Evropa mund të tejkalojë problemet e saj dhe të ecë përpara e bashkuar”
, ka thënë Samaras.

Samaras ka qëndruar në Paris, një ditë pas vizitës së tij në Berlin.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka ofruar një rreze shprese në takim, duke shfaqur dëshirën për mbetjen e Greqisë në Eurozonë, si dhe duke u zotuar për ndihmën e Gjermanisë.

Megjithatë, si Merkel, ashtu edhe Holland kanë thënë se Bashkimi Evropian do të presë raportin për përparimin e Greqisë në muajin shtator, para se të vendosë për ndihma të tjera.

Raportin do ta hartojnë auditorët e dërguar në Athinë nga Bashkimi Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane.

Një raport pozitiv i Treshes është thelbësor për Greqinë e goditur nga borxhet, që të marrë këstin e radhës në vlerë prej 31.5 miliardë eurosh.

Për paketën prej 130 miliardë eurosh nga BE-ja dhe FMN-ja, Greqia është zotuar për kryerjen e reformave të thella dhe për shkurtime në vlerë prej 11.5 miliardë eurosh më 2013 dhe 2014.

Samaras ka thënë të premten se Greqia do t’iu përmbahet të gjitha premtimeve ndaj kreditorëve ndërkombëtarë, porse kërkon “hapësirë për frymëmarrje” për të zbatuar shkurtimet dhe reformat.

As Merkel, as Holland nuk i janë përgjigjur direkt kërkesës.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG