Ndërlidhjet

logo-print

Maqedonia gati për protesta kundër rritjes së çmimeve


Ilustrim

Ilustrim

Uria nuk njeh përkatësi etnike - kjo është motoja e iniciativës qytetare AMAN, e cila ka paralajmëruar një valë të re protestash në të gjitha qytetet e Maqedonisë, për të kundërshtuar shtrenjtimet e fundit të energjisë elektrike, ngrohjes qendrore dhe karburanteve.

Aleksandar Gocev nga Shkupi, thotë se organizata, të cilën e përfaqëson, mirëpret të gjithë qytetarët, pavarësisht nga feja, përkatësia etnike apo ajo politike, ngase siç shprehet ai, vetëm të bashkuar mund t`u bëhet ballë vendimeve të Komisionit Shtetëror Rregullator, për shtrenjtim të rrymës, ngrohjes dhe karburanteve.

“Vetëm të bashkuar mund të arrijmë të luftojmë për atë që kërkojmë dhe të ruajmë krenarinë si qytetarë, ngase pavarësisht ku gjenden qytetarët e Maqedonisë: Manastir, Prilep apo Tetovë, kan një hall të njëjtë - rënien e standardit dhe atë se kush e kontrollon punën e Komisionit Rregullator. Pra, në të gjitha qytetet kanë një kërkesë të njëjtë: të kthehet tarifa e lirë ditore, të anulohet rregullorja kontestuese e korporatës ‘Toplifikacia’, të ulen akcizat e karburanteve dhe të kthehet çmimi i rrymës nga viti 2008”, thekson Gocev, një nga organizatorët e protestave të iniciativës qytetare në Shkup.

Megjithëse organizatorët e protestave nga iniciativa qytetare AMAN, thonë se nuk janë politikisht të organizuara, por është politika ajo, e cila në forma direkte dhe indirekte po ndërhyn në bashkimin e qytetarëve rreth qëllimit që t’i thuhet stop rritjes së çmimeve.

“Unë mendoj se ajo që ndodh për momentin mes partnerëve të koalicionit qeverisës dhe ngacmimet mes partive politike, duke i fryrë nacionalizmit, është një tendencë për të hedhur në hije zhvillimet apo më mirë thënë problemet e vërteta, me të cilat përballet vendi dhe ato janë problemet ekonomike, duke e bërë të papërballueshme koston e buxhetit familjar”, thekson Maringlen Demiri, një nga organizatorët e protestave të iniciativës qytetare AMAN nga Manastiri.

Ndërkaq, ekspertët thonë se janë skeptikë sa i përket organizimit të protestave të përbashkëta në përmasa që mund të detyrojnë autoritetet shtetërore të ndryshojnë vendimet sa i përket shtrenjtimeve.

Sociologu Ilija Acevski si arsye kryesore në këtë drejtim fokuson ndarjet e thella në baza etnike të shoqërisë maqedonase.

“Qeveria, partitë nuk janë të interesuara për të ndërtuar një shoqëri, e cila do të dijë t’i artikulojë interesat duke shmangur elementin etnik, sepse pikërisht partitë, duke kontrolluar trupin elektoral mbi baza etnike, mbajnë në kontroll dhe stabilitetin e tyre në qeverisje”, vlerëson sociologu Ilia Acevski.

Ndryshe, zëvendëskryeministri për Financa, Zoran Stavrevski, javën që po lëmë pas, tha se Qeveria e Maqedonisë po ndjek me kujdes situatën më të fundit, me rritjen e çmimeve në nivel botëror, të cilat drejtpërsëdrejti ndikojnë në tregun vendor.

“Na brengos situata në tregun botëror me rritjen e ndjeshme të çmimeve të produkteve bazike ushqimore. Gjatë javës në bursën botërore në Çikago është vërejtur rritja më e madhe e çmimit të grurit, misrit dhe lulediellit në 27 vitet e fundit. Kjo gjithsesi do të ndikojë edhe te ne dhe do të ketë valë të re të shtrenjtimeve. Sa i përket çmimit të naftës dhe derivateve të saj, atë e dikton kriza në Lindjen e Afërt, si dhe relacioni mes dollarit dhe euros”, tha Stavreski, duke potencuar se Qeveria në kuadër të kompetencave të saj ka ndërmarrë disa masa si që janë hapja e vendeve të reja të punë dhe disa programe sociale për të zbutur pasojat në standardin jetësor të qytetarëve.
XS
SM
MD
LG