Ndërlidhjet

Forca ndaj strukturave jolegale, e arsyeshme


Pjesëtarë të Policisë së Kosovës(Foto nga arkivi)
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës(Foto nga arkivi)
Deklaratat e mëparshme të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se integrimi i veriut të vendit nuk do të bëhet me instrumente të dhunës dhe deklaratat e fundit të tij, nuk janë në kundërshtim dhe nuk përjashtojnë, por e plotësojnë njëra-tjetrën, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Kryeministri Thaçi, së fundmi ka deklaruar se “komuniteti ndërkombëtar do të ushtrojë presion të fuqishëm që Beogradi të detyrohet t’i largojë më në fund strukturat jolegjitime, por edhe Qeveria e Kosovës do të veprojë me gjithë forcën e vet kushtetuese dhe ligjore që këto struktura jolegjitime të ballafaqohen ose me drejtësinë, ose të dëbohen nga Kosova”.



Analisti i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, thotë se lidhur me këtë çështje, Qeveria e Kosovës duhet të insistojë te komuniteti ndërkombëtar që ta rrisë presionin ndaj Beogradit, që të heqë dorë nga këto struktura, por që edhe aktivizimi eventual i mekanizmave të rendit në këtë drejtim, do të duhej të jetë i matur, në mënyrë që të mos krijohen kundërefektet.
Nëse është dhuna ose masat e jashtëzakonshme ndaj strukturave paralele, kriminele, që edhe ashtu duhet të eliminohen, atëherë kjo mund të arsyetohet...

“Nëse është dhuna ose masat e jashtëzakonshme ndaj strukturave paralele, kriminele, që edhe ashtu duhet të eliminohen, atëherë kjo mund të arsyetohet, në kuptimin që të mos shkaktojë rebelim ose ndonjë konflikt më të gjerë. E dini që gjatë kësaj kohe, ka gati 1 vit që KFOR-i vazhdimisht bën përpjekje që t’i debllokojë rrugët, por është i kujdesshëm që të mos bëhet ndonjë konflikt i madh. Por, tash edhe durimit të tyre më duket se i ka ardhur fundi”, thotë Maliqi.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti tjetër i çështjeve politike, Ardian Arifaj.

Por ai shpreh mendimin se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi duhet t’ia ripërsërisë bashkësisë ndërkombëtare kërkesën që të bëjë presion ndaj Beogradit që t’i largojë nga veriu i Kosovës elementet ilegale.

Mirëpo, edhe intervenimi eventual i institucioneve të Kosovës për eliminimin e këtyre elementeve, sipas Arifajt, do të ishte plotësisht i arsyeshëm.
Nuk i shoh dy deklarata që përjashtojnë njëra-tjetrën, por si dy deklarata që e plotësojnë njëra-tjetrën, që shteti i Kosovës të jetë në gjendje ta kthejë veriun nën sovranitetin e Kosovës...

“Nëse është e vërtetë që veriu nuk integrohet me dhunë, është më se e vërtetë që shteti duhet të jetë i gatshëm që të përballet me të gjitha sfidat, pra edhe me ato të sigurisë dhe të jetë në gjendje që t’i luftojë grupet kriminale me polici, nëse është e nevojshme”.

“Prandaj, nuk i shoh dy deklarata që përjashtojnë njëra-tjetrën, por si dy deklarata që e plotësojnë njëra-tjetrën, që shteti i Kosovës të jetë në gjendje ta kthejë veriun nën sovranitetin e Kosovës dhe duke iu përmbajtur asaj që integrim me dhunë nuk ka, është e vërtetë, por luftim të organizatave kriminale sigurisht që duhet të ketë”, shprehet Arifaj.

Por, analisti Maliqi, si faktor kyç për shpërbërjen e strukturave jolegale në veri e sheh vetë Beogradin, i cili do të vepronte nën presionin ndërkombëtar.

“Nëse e humbin këtë përkrahje, atëherë nuk është e paimagjinueshme. Atëherë, do të thotë, edhe vetë ata faktorë që rezistojnë, do të izolohen dhe mandej të dalin në dritë. Eventualisht, mund të ketë disa burgosje ose eliminime dhe një intervenim pak më i vendosur për debllokim të rrugëve, e kështu me radhë”, shpjegon Maliqi.

Ndërkaq, analisti Arifaj, shfaq drojën se mekanizmat e rendit mund të jenë të papërgatitur, në rast të intervenimi eventual ndaj strukturave ilegale dhe kriminale në veri.

“Është investuar shumë pak në Policinë e Kosovës që të përgatitet për aksione të tilla. Mos të harrojmë që Policia e Kosovës ka vetëm dy autoblinda të vjetra dhe nuk ka mjete të mjaftueshme për të intervenuar ashtu siç do të ishte e nevojshme të intervenohet kundër strukturave ilegale ose kriminale, të cilat, deri tash, janë treguar se janë shumë të armatosura, shumë të përgatitura dhe dinë të veprojnë në mënyrë shumë të rreptë”.

“E kemi parë se janë në gjendje që të përballen edhe me KFOR-in dhe ta sulmojnë atë, madje me armë të sofistikuara dhe me metoda të sofistikuara”
, vlerëson Arifaj.

Ndryshe, njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se në rast se strukturat ilegale dhe kriminale në veri do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe më tej, ato do të prodhojnë jostabilitet të vazhdueshëm, i cili do të sjellë tensionime edhe më të mëdha se deri më tash.
XS
SM
MD
LG