Ndërlidhjet

Aktivistët: Mbi 300 viktima në “masakrën” e Darajas

  • RFE /RL

Siri..

Siri..

Aktivistët sirianë kanë raportuar se numri i viktimave të gjetura në qytetin Daraja ka arritur në 320. Aktivistët kanë thënë se 80 prej tyre janë identifikuar, ndërsa të tjerët janë në proces, raporton AFP.

Agjencia shtetërore e lajmeve, në anën tjetër, ka thënë se “forcat tona heroike kanë pastruar Darajan nga mbetjet e grupeve të armatosura terroriste”.

Britania e Madhe ka shprehur “shqetësim të madh” për ngjarjen, e cila ka ndodhur të shtunën pas një sulmi të dyshuar të ushtrisë siriane.

“Jam thellësisht i shqetësuar nga raportet që flasin për një masakër brutale të civilëve në Daraja, në periferi të Damaskut”, ka thënë ministri i Jashtëm, Alister Bërt.

“Represioni i regjimit sirian ndaj popullit të tij për më shumë se 17 muaj, ka lënë pak hapësirë për vëzhguesit e pavarur që operojnë në Siri. Kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë verifikimin e asaj që ka ndodhur dje”, ka thënë Bërt.

Viktima në Siri...

Viktima në Siri...

Sipas tij, nëse konfirmohet, ajo do të jetë një mizori e një shkalle të re, e cila kërkon dënim nga i tërë komuniteti ndërkombëtar.

Ngjarja ka ndodhur në të njëjtën ditë, kur Këshilli Kombëtar i Sirisë u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe të ndërhyjnë për të parandaluar “katastrofën” në provincën e rrethuar të Homsit.

Në Damask, të dielën është rishfaqur zëvendëspresidenti i Sirisë, Faruk al-Shara, duke qetësuar zërat se ka braktisur regjimin.

Gazetarët thonë se al-Shara ka zbritur nga makina, për të ecur drejt zyrës së tij, ku do të takonte kreun e Komisionit iranian për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme, Alaedin Borujerdi.

Al-Shara nuk ka folur për mediat.

Për herë të fundit, ai është paraqitur në publik më 18 korrik, në një funeral të disa zyrtarëve të lartë, të vrarë nga shpërthimi në Damask.

Më vonë ishin përhapur thashethemet se al-Shara ka braktisur regjimin e presidentit Bashar al-Asad dhe se është larguar drejt Jordanisë.

Në muajt e fundit ka pasur disa dezertime të zyrtarëve të lartë nga regjimi, përfshirë edhe kryeministrin Rijad Hixhab.

Ky i fundit është larguar për në Jordani. Në një deklaratë të 15 gushtit, ai ka thënë se regjimi i Asadit tashmë kontrollon vetëm 30 për qind të territorit dhe se ka rënë “ushtarakisht, ekonomikisht dhe moralisht”.

Protestat antiqeveritare në Siri kanë nisur në mars të vitit të kaluar. Aktivistët thonë se më shumë se 20,000 persona, shumica nga ta civilë, kanë humbur jetën në 17 muaj trazira.

Protestat bëjnë thirrje për largimin nga pushteti të presidentit Bashar al-Asad dhe ndodhin në vazhdën e kryengritjeve popullore në botën arabe.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG