Ndërlidhjet

International Herald Tribune: A ka dështuar 'Evropa'?


International Herald Tribune shkruan se ekzistojnë shumë arsye për krizën në Evropë, duke filluar nga korrupsioni, papërgjegjësia kolektive në Greqi e deri te koncepti i ngurtë dhe me të meta i një unioni monetar pa politikë fiskale.

Kriza evropiane e borxheve nuk është vetëm një krizë ekonomike: është një përshkallëzim nga konflikti i identitetit tek ai etnik.

Bashkimi Evropian ishte një koncept politik, i projektuar për të zbutur Gjermaninë agresive. Ndërvarësia e fortë ekonomike dhe një identitet i përbashkët evropian, ishte menduar, se do të kultivohej nga institucionet e unionit, derisa evropianët do të përfitonin nga prosperiteti ekonomik i krijuar nga integrimi, shkruan e përditshmja ndërkombëtare IHT.

Elitat e kanë shitur këtë koncept para publikut të tyre përderisa Evropa përparonte dhe kishte status të lartë ndërkombëtar. Por, unioni e ka humbur shkëlqimin e tij, thuhet në artikull, ku nënvizohet se aleati i kamotshëm, SHBA po e zhvendos vëmendjen në Azinë Lindore.

“Derisa statusi i Evropës bie, identiteti i lëkundur evropian do të dobësohet edhe më tej, dhe qytetarët e shteteve të pasura evropiane ka të ngjarë që do të preferojnë që më shumë të identifikohen si gjermanë apo francezë, sesa si evropianë”, thuhet në artikull.

Kjo do të rrisë hezitimin që taksat e tyre të përdoren si pako shpëtimi për disa evropianë jugorë, në veçanti për grekët, që dallojnë edhe kulturalisht dhe do të zhdukë perspektivën e një integrimi fiskal, që do të mund ta ndihmonte euron.

“Rezultati është një rreth vicioz: derisa kthehen identitetet etnike, dallimet etnike theksohen më tepër, të gjitha palët zhyten në stereotipe dhe stigamitizimi i kundërshtarëve përmes gjuhës ose veprimeve, i justifikon veprimet armiqësore”, shkruan IHT.

Rrëshqitja ka konflikti etnik në Evropë nuk është e dhunshme, por mund të jetë shkatërruese për ekonominë dhe politikën, thuhet në artikull.

Aty vihet në pah atmosfera mes gjermanëve, që sipas sondazheve, e duan Greqinë jashtë eurozonës, po që se nuk zbaton shpejtë reformat.

Disa studime të fundit, thekson IHT, tregojnë se gjermanët që ndjehen më shumë kozmopolitë janë më të prirë të mbështesin pakon e shpëtimit për fqinjët jugorë të vendit.

“Por, fatkeqësisht kozmopolizmi mund të jetë shkaku i rritjes së tensioneve etnike, derisa popullsitë reagojnë negativisht nga demagogjia politike, duke forcuar kështu ekstremistët”, vë në pah gazeta.

“Shembuj të stigamtizimeve të tilla kanë lindur në Evropë nga akronimi PIGS(derrat) që i referohet ekonomive që po hasin në vështirësi si Portugalia, Italia, Greqia dhe Spanja, e deri te analogjitë mjekësore si infektimi i veriut nga jugu i infektueshëm. Gjermanët iu tregojnë grekëve se si të jetojnë; grekët iu përgjigjen duke i quajtur nazistë”, thuhet në artikull.

Gjermanët nënvizon gazeta, duhet të zhvillojnë diskutime të sinqerta në lidhje me atë se çka nënkupton të jesh evropian, si duhet të sillen qytetarët e mirë evropianë ndaj evropianëve të tjerë dhe pse një Evropë e fuqishme është e mirë për interesat gjermane në një botë të dominuar nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe fuqitë në zhvillim si India dhe Brazili.

Pa një diskutim të tillë, dhe koncesione të vërteta për Greqinë, dalja greke është e pashmangshme dhe me këtë edhe triumfi i provincializmit në Evropë.


Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG