Ndërlidhjet

Ditë e përgjakshme në Afganistan

  • RFE /RL

Pamje nga Afganistani...

Pamje nga Afganistani...



E hëna në Afganistan ka shënuar një ditë të përgjakshme: 17 civilë janë gjetur me koka të prera, 10 trupa afgane janë vrarë dhe dy ushtarë të NATO-s janë qëlluar për vdekje.

Civilëve, në mesin e tyre dy gra, u janë prerë kokat mbrëmjen e së dielës, pranë fshatit Zamindavar, në jug të provincës Helmand.

Zëdhënësi i provincës, Daud Ahmadi, i ka thënë Radios Afganistani i Lirë se kryengritësit duket se kanë dashur të ndëshkojnë fshatarët, të cilët kanë bërë thirrje për organizimin e protestave kundër militantëve.

Këta 15 civilë dhe dy gra janë vrarë për gjoja kontaktet me qeverinë. Armiqtë tremben, sepse njerëzit janë gjithnjë e më shumë kundër tyre dhe ata duan që të largohen nga zona. Mendoj se janë zbuluar planet e popullit”, ka thënë Ahmadi.

Ai, megjithatë, ka thënë se mbetet e paqartë se cili grup qëndron prapa vrasjeve.

Disa agjenci të lajmeve kanë cituar zyrtarët lokalë të kenë thënë se viktimat janë ndëshkuar pasi kanë organizuar një festë të përzier me burra dhe gra.

Talibanët, të cilët janë aktivë në këtë zonë, në të kaluarën janë fajësuar për prerjen e kokave të fshatarëve – kryesisht mbi akuzat për bashkëpunim me forcat afgane dhe të NATO-s.

Një udhëheqës fisnor ka thënë se muajt e fundit kanë shënuar rritje të incidenteve të tilla dhe se të paktën tre kanë ndodhur gjatë Muajit të Ramazanit.

Në një incident të ndarë, po në provincën Helmand, 10 ushtarë afganë janë vrarë nga sulmi në një pikë kontrolli.

Disa zyrtarë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që sulmi të ketë qenë një “komplot i brendshëm”, ku disa ushtarakë kanë ndihmuar militantët talibanë të sulmojnë post-bllokun.

NATO-ja, në ndërkohë, ka raportuar për vrasjen e dy ushtarëve të saj në provincën Laghman.

Zëdhënësi i forcës ndërkombëtare, Gunter Kac, ka thënë se trupat janë vrarë nga një ushtar afgan, i cili më pas është qëlluar për vdekje.

Vrasësi është vrarë. Hetimet po vazhdojnë dhe kjo është e gjitha që mund të them tani për tani për incidentin”, është shprehur Kac.

Vdekjet e fundit çojnë në të paktën 12 numrin e ushtarëve ndërkombëtarë, të vrarë në sulme të tilla vetëm gjatë muajit gusht.

Kryengritësit talibanë kanë marrë përgjegjësinë për shumicën e tyre, duke thënë se militantët kanë infiltruar forcat e udhëhequra nga NATO-ja.

Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se infiltrimi mund të jetë arsye për sulmet, por kanë sugjeruar po ashtu se tensionet dhe marrëdhëniet e varfra personale ndërmjet aleatëve të NATO-s dhe atyre afganë mund të jenë faktorë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG