Ndërlidhjet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta mbështesin zhvillimin e shtetit të Kosovës në fusha të ndryshme.

Këtë e ka rikonfirmuar Trejsi Xhejkobson, ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, e cila të hënën është takuar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin ka biseduar për hapat e mëtutjeshëm të Kosovës në zhvillimin e saj, si dhe për proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Ambasadorja Xhejkobson e ka rikonfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

E kam rikonfirmuar gjatë takimit të sotëm mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për zhvillimin ekonomik, për zhvillimin e mëtejmë të demokracisë shumë-etnike të Kosovës dhe për të ardhmen e Kosovës në rrugëtimin e saj evropian”, tha ambasadorja Xhejkobson.

Ajo ka përgëzuar Kosovën për përparimet e arritura deri më tash, që prej shpalljes së pavarësisë së vendit. Ambasadorja Xhejkobson gjithashtu ka thënë se në takim është

Kam shprehur mbështetjen time të plotë për përpjekjet e Qeverisë së Kosovës që të zgjerojë autoritetin te popullata në veri të Kosovës dhe për t’u angazhuar në një dialog serioz me Serbinë, i cili besojmë se do të sjellë përparime të mëtejme në rajon, përfshirë këtu përparimin ekonomik”, ka theksuar ambasadorja Xhejkobson.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka theksuar se e ka njoftuar ambasadoren Xhejkobson mbi zhvillimet në prag të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe për angazhimet konkrete të Qeverisë së Kosovës për një dialog të brendshëm me serbët që jetojnë në veri të vendit, për një plan afirmativ për integrimin e tyre në jetën institucionale.

Kryeministri Thaçi, gjithashtu, theksoi se me ambasadoren Xhejkobson ka biseduar edhe për çështjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Informova ambasadoren edhe për gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që është edhe një nga kriteret e domosdoshme për të gjitha vendet, që të kenë fqinjësi të mirë me njëra tjetrën, për tu integruar në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO. Pra, kemi një agjendë të përbashkët, me besimin e plotë në sukses të përbashkët”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Xhejkobson është takuar edhe me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi.

Në këtë takim është ritheksuar çështja e angazhimit për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë. Ambasadorja Xhejkobson ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin e suksesshëm me Ministrinë e Brendshme dhe përmes programeve të caktuar të forcohet ky bashkëpunim si dhe reformat ligjore.

Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është shumë i rëndësishëm, sikundër edhe zhvillimi ekonomik i Kosovës, prandaj ne do të vazhdojmë të jemi partnerë të Kosovës në ndërtimin e të gjitha kapaciteteve të saj”, tha ambasadorja Xhejkobson.

Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi e ka mirëpritur vazhdimin e mbështetjes dhe ndihmës nga Ambasada Amerikane për ministrinë që ai drejton.

Kosova ka nevojë të madhe për sundim të rendit dhe ligjit. Kështu që presim edhe në të ardhmen që të vazhdoj ky bashkëpunim i ngushtë dhe kjo përkrahje për krijimin e ambientit të qetë, për të gjithë qytetarët në tërë territorin e Kosovës dhe për zbatimin e rendit dhe ligjit, duke përfshirë edhe pjesën veriore, do të jemi në konsultime të përhershme”.

Ndryshe, ambasadorja Xhejkobson është takuar edhe me kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa, njëherësh edhe lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me të cilin kanë biseduar për proceset e rëndësishme dhe sfidat nëpër të cilat po kalon vendi.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG