Ndërlidhjet

Maqedoni: Zgjedhjet e parakohshme, të pashmangshme


Maqedoni...

Maqedoni...

Derisa partitë e koalicionit qeveritar heshtin rreth krizës së krijuar mes tyre lidhur me përkuljen e zyrtarëve të BDI-së para një memoriali të UÇK-së dhe propozim-ligjit të VMRO-së për forcat e sigurimit, analistët politikë, nga ana tjetër thonë se në situatën e krijuar janë të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Njohësi i zhvillimeve politike, Alajdin Demiri, thotë se dy partitë vështirë se do të tërhiqen nga pozicionet e tyre, pasi kjo vetëm sa do të dëmtonte rejtingun e tyre edhe ashtu të lëkundur, andaj daljen nga situata e shohin përmes zgjedhjeve të parakohshme, kuptohet, siç thekson ai, duke udhëhequr fushata nacionaliste në kampet e tyre etnike.

Karakteristikë është se të dyja do të shkojnë në rritjen e rejtingut në aspektin e nacionalizimit. Atë Gruevski e bën në mënyrë permanente që kur është në pushtet, por, kësaj radhe është duke e tepruar për arsye se nacionalizimi i tij shfaqet në një mënyrë më të egër me qëllim që të fitojë vota. Ndërkohë BDI-ja e Ali Ahmetit do të zhvillojë një nacionalizëm lokal me qëllim që të fitojë epërsi ndaj partive tjera opozitare”, shprehet Demiri.

Ai thotë se zgjedhjet e parakohshme do të mbahen në muajin mars së bashku me ato lokale dhe të organizuara nga një qeveri teknike, pasi siç shprehet ai, dy partitë e tanishme të koalicionit nuk kanë fuqi të merren me çështjet serioze, siç janë pastrimi i listës zgjedhore, përmirësimi i kodit zgjedhor dhe organizimi në përgjithësi i zgjedhjeve.

Ata vet vendosën që të krijojnë këtë situatë, ata vetë vendosën që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme dhe tani duhet të merren vesh për qeverinë teknike ose pjesën tjetër si do të quhet qeveri ekspertësh e cila duhet të organizoj dhe zbatoj këto zgjedhje”, shprehet Demri.

Nga ana tjetër, edhe analisti Petar Arsovski, thotë se fajtorë për gjendjen e krijuar janë dy partitë e koalicionit, të cilat edhe më parë janë udhëhequr nga veprime kërcënuese dhe politika joparimore ndaj njëra tjetrës.

Afat më i logjikshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare është mbajtja e tyre së bashku me zgjedhjet lokale pasi nuk mundet që çdo dy muaj të organizohen zgjedhje dhe të harxhohen para pasi ka edhe shumë çështje tjera që kërkojnë zgjidhje si pastrimi i listës zgjedhore, por, edhe arritja e një ujdie të përbashkët politike për mbajtjen e tyre”, thotë Arsovski, duke shtuar se e gjithë mund të jetë një lojë e partive në pushtet që përmes zgjedhjeve të ruajnë pushtetin, por, mbajtja e tyre, sipas tij, nuk nënkupton edhe zgjidhjen e problemit të krijuar nga vet ata.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk mund të shihen edhe si zgjidhje e problemit. Nuk ëeshtë zgjidhje nëse shkoni në zgjedhje parlamentare dhe harxhoni një ton me para dhe të nesërmen sërish ballafaqoheni me problemin e njëjtë”, thotë analisti Arsovski duke shtuar megjithatë se kërcënimi nga ana e BDI-së, kësaj radhe është më serioz se herëve tjera, pasi bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme për shqiptarët.

Ndryshe, për krizën qeveritare mediat kanë transmetuar edhe qëndrimin e Komisionit Evropian, i cili nga afër po ndjek situatën politike në Maqedoni.

Nga zyra e komisionerit për zgjerim, Shtefan Fyle, kanë shprehur besimin se liderët politikë do të arrijnë të gjejnë zgjidhje për problemin, që siç ka deklaruar zëdhënësi Majkëll Man, është në interes të popullit procesit të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Ai ka thënë se për krizën dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, javën që vjen do të bisedojnë në Bruksel, komisioneri Fyle dhe presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov.
XS
SM
MD
LG