Ndërlidhjet

Obama: Gjendje e jashtëzakonshme në Luiziana


Një mbishkrim në Luiziana, ku shkruan: Përgatitu, mos paniko, lutu...
Një mbishkrim në Luiziana, ku shkruan: Përgatitu, mos paniko, lutu...
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Luiziana, derisa shtetet e Gjirit Bregdetar amerikan po përgatiten për Stuhinë tropikale Isaac.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, e ka informuar guvernatoritn e Luizianës se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, në mënyrë që të lirohen fondet për aktivitete të emergjencës të ndërlidhura me stuhinë e cila po forcohet gjithnjë e më tepër.

Ai, po ashtu, ka kërkuar që Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave Federale t’i koordinojw përpjekjet për ndihma me zyrtarët shtetërorë dhe ata lokalë përgjatë Gjirit Bregdetar amerikan.

Më herët guvernatorët e Luizianës, Floridës, Misisipit dhe Alabamës, patën shpallur gjendje të jashtëzakonshme në shtetet e tyre, për shkak të alarmit për uragan.

Meteorologët parashohin që stuhia Isaac do të forcohet në kategorinë e uraganit 1, ndërsa rruga e tij mund të jetë direkt kah Nju Orllins ditën e mërkurë.

Guvernatori i Luizianës, Boby Xhindal, ka kërkuar që njerëzit të përgatiten për më të keqen, duke rekomanduar evakuim vullnetar në strehimoret e vendosura jashtë sistemit të mbrojtjes nga vërshimet në Nju Orllins.

“Tash është koha që ju të jeni të sigurt se keni plan evakuimi, kështu që ju do ta dini se ku do të shkoni. Unë personalisht i rekomandoj fuqishëm njerëzit, që jetojnë në hapësirat e ulëta jashtë sistemit të mbrojtjes, ta fillojnë evakuimin vullnetar”, tha zoti Xhindal.

Pasi e goditi Floridën jugore, stuhia Isaac është nisur kah pjesa veriore e Gjirit Bregdetar amerikan, duke iu kërcënuar qytetit Nju-Orleans, shtatë vjet pasi nga uragani Katrina humbën jetën afro 1800 vetë.

Zyrtarët thonë se pengesat mbrojtëse rreth qytetit janë të pajisura që t’i rezistojnë stuhisë më të fuqishme se që është Isaac. Dështimi i këtij sistemi ka çuar në vërshime katastrofale në këtë hapësirë, pas uraganit Katrina.

Prefekti i ri i qytetit Nju Orllins, Miç Landriu thotë se çdo gjë është e gatshme për betejën kundër stuhisë.

“Ne jemi të organizuar, ne jemi të gatshëm për betejë, ne jemi në ritmin e betejës dhe ne do të jemi të gatshëm me atë që vjen në rrugën tonë”, tha Landriu.

Por, administratori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave Federale, Krejg Fjugejt tha se stuhia Isaac nuk është vetëm stuhi në Nju Orllins, dhe se pasojat më të këqija, po ashtu, mund të ndodhin në Misisipi dhe Alabama.

Mijëra banorëve të Alabamës u është thënë që të evakuohen.

Autoritetet e Floridës thanë se 60 mijë njerëz tashmë janë pa rrymë elektrike për shkak të stuhisë.

Partia Republikane e ka shtyrë për një ditë fillimin e Konventës Kombëtare në Tampa, në bregun perëndimor të Floridës.

Në këtë konventë, ish guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, nominohet kandidat i Partisë Republikane në zgjedhjet për president të Shteteve të Bashkuara, që mbahen në muajin nëntor. (f. b.)
XS
SM
MD
LG