Ndërlidhjet

Kthehet në modë hidroelektriciteti

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Burimet e ujit dhe menaxhimi i tyre, me fokus rolin e ujit në sigurinë e ushqimit, janë në qendër të Javës Botërore të Ujit këtë javë- një ngjarje vjetore që organizohet nga Instituti Ndërkombëtar i Ujjit në Stokholm të Suedisë.

Në mesin e temave të tjera, ngjarja e këtij viti vë në krye të diskutimit edhe çështjen e ndjeshme të ndërtimit të pendave si mënyrë për menaxhimin e ujit në zonat ku burimet e tij janë të pakta.

Për Xhavaharlal Nehrunin, njërin nga themeluesit e Indisë së pavarur, kërkesa për të përmbushur nevojat për ujë dhe energji elektrike të shtetit të tij gjigant ishte aq e madhe sa që për të pendat janë “tempujt e rinj të Indisë”.

Në kohën e pasluftës, shtetet e pavarura në Azi dhe Afrike-kryesisht të ndikuara nga modeli sovjetik dhe me mbështetjen e sovjetëve, po kërkonin të prodhonin më shumë energji për ekonomitë e tyre të reja me qëllim ngritjen e vetëbesimit përmes projekteve të mëdha.

Mirëpo, gjërat ndryshuan pas disa dekadash. U bë gjithnjë e më e qartë se pendat dhe rezervarët ishin një burim i pabarazive ambientale dhe mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Përdorimi i hidroelektricitetit ishte i parëndësishëm në raport me shfrytëzimin e tërësishëm të energjisë së pjesës dërrmuese të shteteve.

Por sot, në kohën e rritjes së nevojave për energji dhe kundërshtimit publik ndaj energjisë bërthamore në shumë pjesë të botës, ekspertët thonë se hidroelektriciteti është kthyer sërish në modë.

Kërkesa në rritje për më shumë penda dhe sisteme ujitëse si mjete për të siguruar të ardhura më të mëdha bujqësore do të jenë tema kryesore e debatit në Javën Botërore të Ujit-një ngjarje vjetore që organizohet nga Instituti Ndërkombëtar i Ujit në Stokholm.

Menaxherja e programit, Ana Kaskao, njëra nga ekspertët kryesorë për hidropolitika në këtë institut, foli për arsyet që kanë çuar në rishfaqjen e interesit për hidroelektricitet.

Gjërat ndryshojnë kur ekziston një pikë e caktuar kthyese. Ishte në modë të jesh kundër pendave dhe veçanërisht kundër atyre që bartnin me vete pasoja negative. Dhjetë vite më pas i jemi kthyer diskursit rreth pendave. Por, a jemi kundër çfarëdo lloji të pendave, ose disa pendave që mund të krijohen në mënyrë shumë të mirë me mbështetjen e partnerëve të duhur, përfshirjen e ambientalistëve dhe respektimin e të drejtave të njeriut? Në këtë rast, ato mund të ishin fitimprurëse për shtetet”, tha ajo.

Kaskao tha se potenciali enorm i hidroelektricitetit është bërë më tërheqës në kohën kur bota po u kthehet formave më të pastëra të energjisë e gjithashtu në kohën e rritjes së kundërshtimit ndaj enegjisë bërthamore pas katastrofës së marsit të kaluar në Fukushima të Japonisë.

Ajo theksoi se kërkesa e projeketeve për zhvillimin e hidroelektricitetit në Afrikë vjen në kohën e gjallërimit ekonomik që ka shtuar nevojat për elektricitet dhe ujë:

Jo të gjitha pendat janë medoemos të këqija. Prandaj, po ndryshon diskursi në njëfarë mënyre. Është si të thuhet: ‘Në Rregull, mund të na duhen disa penda në lumenjë që nuk kanë aq shumë prej tyre’. Ta marrim si shembull lumin Nil, ku aktualisht po ndërtohen shumë penda”.

Por, pendat ishin bërë në shumë raste arsye për shkrepjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve kur bëhej fjalë për resurset e ujit.

Irani dhe Afganistani, për shembull, kanë kundërshtuar njëri-tjetrin disa herë lidhur me përdorimin e resurseve të limanit të Lumit Helmand, ku Irani ka ndërtuar një numër të madh pendash. Afganistani, në rrjedhën e sipërme, ka pendën e tij në Kaxhaki.

Në Azinë Qendrore, planet e Taxhikistanit të rrjedhës së sipërme për ndërtimin e një pende masive dhe përmbushjen e ëndrrës së tij që të bëhet eksportues i madh i energjisë, janë bërë qendër e mosmarrëveshjeve me Uzbekistanin.

Anders Jegerskog, një ekspert për sigurinë dhe qeverisjen e ujërave në Institutin Ndërkombëtar të Ujit në Stokholm, tha se shembulli klasik i tensioneve politike të shkaktuara nga ndërtimet e pendave vazhdon të jetë ekzistent në Lindjen e Mesme.

Pendat e ndërtuara në Jordani si pjesë e limanit të lumit Jordan, për shembull, janë shumë të diskutueshme dhe janë shndërruar në burim konfliktesh përgjatë historisë, sikurse një pendë e ndërtuar në Eufrat dhe Tigris. Ekziston nevoja të punohet për zgjerimin e dialogut, diskutimeve dhe ndërtimit të besimit në këta lumenjë të përbashkët dhe në mes të shteteve që i ndajnë ato”, tha ai.

Përdorimi i përbashkët i burimeve të ujit nga shtetet bregore pritet të jetë një nga temat kryesore të organizimit të vitit të ardhshëm-Vitit Ndërkombëtar për Bashkëpunim në Ujëra të sponzoruar nga Shtetet e Bashkuara.

Jegerskog tha se shtetet e Azisë Qendrore janë veçanërisht aktive në përgatitjet për ngjarjen e 2013-ës si forum për gjetjen e zgjidhjeve.

Disa nga shtetet e Azisë Qendrore po e mbështesin vërtet Vitin Ndërkombëtar për Bashkëpunim në Ujëra. Kjo është një pjesë e rëndësishme e përgatitjeve për vitin e ardhshëm. Vendi që po kryeson lidhur me këtë është Taxhikistani”, njoftoi ai.

Jegerskog shprehi bindjen se debatet në Stokholm do të shërbejnë si bazë për krijimin e një bashkëpunimi më të mirë ndërmjet shteteve në nivel politik, të cilat mund të rezultojnë me vendosjen e modeleve për një menaxhim më të mirë të ujërave bazuar në modelin global për bashkëpunim në ndryshimet klimatike.

Ka nevojë të punohet më shumë në përpjekjet për ta vënë çështjen e ujit në agjendat politike ashtu siç ishte rasti me ndryshimet klimatike që janë ndihmuar nga raportet e Panelit Ndër-qeveritar për Ndryshime Klimatike. Diçka e ngjashme mund të vie në konsiderim kur bëhet fjalë për ujin”, vlerësoi ai.(e.p.)
XS
SM
MD
LG