Ndërlidhjet

SHBA: Skulptura të akullta në konventat e partive

  • Heather Maher

SHBA

SHBA

Presidenti Barak Obama dhe sfiduesi i tij, Mit Romni, po bëjnë fushatë të ashpër për çështjen e klasës së mesme amerikane.

Nuk është lajm se klasa e mesme e Amerikës “ka duruar një dekadë të humbur për mirëqenien ekonomike”, siç ka raportuar së fundmi Instituti i Hulumtimeve “Pew”.

I titulluar “Dekada e Humbur e Klasës së Mesme: Më pak, më të varfër dhe më të errët”, studimi ka gjetur se që nga viti 2000 “klasa e mesme është tkurrur në madhësi, është dobësuar me të ardhura dhe me pasuri dhe ka humbur besimin e saj karakteristik në të ardhmen”.

Kjo ka të bëjë me realitetin e ashpër ekonomik, për të cilin një çift artistësh nga Nju Jorku ka vendosur të bëjë një ekspozim gjatë Konventës së Republikanëve në Tampa të Floridës dhe asaj të Demokratëve në Sharllot të Karolinës së Veriut.

Nora Ligorano dhe Marshall Ris kanë krijuar skulptura akulli me fjalët “Klasa e Mesme”, për t’i shfaqur në parkun publik, pranë vendeve ku mbahen konventat.

Simbolika e shkronjave njëmetërshe është se me shkrirjen e tyre, ato do të shndërrohen nga një objekt i fortë dhe solid në diçka të brishtë, që zhduket shpejt. Pas disa orësh, nuk do të mbetet asgjë.

Artistët e kanë quajtur skulpturën “Mëngjesi në Amerikë”, sipas fushatës së suksesshme të Ronald Reganit për rizgjedhjen e tij në vitin 1984. Çifti, i cili nuk preferon të zbulojë prirjet e tij politike, thotë se ka zgjedhur titullin, pasi beson se klasa e mesme ka nisur të bie nën Reganin, i cili, sipas tij, u ka dhënë fund politikave sociale dhe ekonomike, që kanë ndihmuar njerëzit punëtorë të ecin përpara.

Njëra nga gjërat që kemi dashur të sugjerojmë, është një mënyrë për të rishikuar epokën – 30 vjetët e fundit. Po të analizoni këtë periudhë në bazë të statistikave, del se shumica e rrogave dhe e të ardhurave të amerikanëve kanë mbetur të pandryshueshme për 30 vjetët e kaluar, sidomos për klasën e mesme dhe njerëzit e klasës punëtore. Ndërsa, në të njëjtën kohë, ka pasur rritje të pabarabartë të të ardhurave ndërmjet njerëzve të pasur dhe pjesës tjetër të amerikanëve”, thotë Marshall.

Por çifti, megjithatë, këmbëngul se skulptura e tyre nuk është politike. Po të donin të fajësonin njërën parti, Marshall thotë se nuk do të vendosnin skulpturën në të dyja konventat.

Përkundrazi, ata shpresojnë të rrisin ndërgjegjen për një çështje që prek miliona amerikanë.

Ne shpresojmë që këto skulptura akulli të jenë një përvojë e thellë dhe, në njëfarë mënyrë, të ndryshojnë mendjen e njerëzve”, thotë Marshall.

Mëngjesi në Amerikë” është i treti në trilogjinë e skulpturave të akullta publike që çifti ka ekspozuar qysh në vitin 2008. Nora thotë se për secilën prej tyre, ata kanë zgjedhur gjuhën “për të paraqitur çështjet e brishta dhe të rrezikuara”.

E para ka qenë fjala “Demokraci”. Ajo është paraqitur në vitin 2008 më Konventën e Partisë Demokratike në Denver të Kolorados dhe, disa ditë më vonë, në Konventën e Partisë Republikane në St.Paul.

Ajo është një fjalë e fuqishme dhe për artistët përfshinte ndjenjën në vend në atë kohë. Lufta në Irak kishte hyrë në vitin e pestë dhe shumë amerikanë kishin vënë në pyetje inteligjencën e vendimit të presidentit Xhorxh Bush për të shkuar në luftë, dështimin e mediave për ta hetuar atë dhe besimin se konflikti do të përfundonte shpejt, thotë Nora.

Mendoj se Marshalli dhe unë kemi bërë përpjekje të mendojmë se çfarë është reale dhe çfarë jo? Çfarë ka qenë e vërtetë dhe çfarë jo? Dhe, në fakt, a jemi ende në demokraci?”, shprehet Nora.

Artistët po ashtu kanë ngritur skulpturën e akullt me fjalën “Ekonomi”, në vitin 2008, në një park të Nju Jorkut, që më vonë do të bëhej “ground zero” për Lëvizjen “Pushtimi i Wall Street”-it.

Çifti nuk bën para nga skulpturat e tij, por ka një grup të besueshëm financierësh pas vetes.(v.t.)
XS
SM
MD
LG