Ndërlidhjet

logo-print

Marrëveshje për zbatimin e marrëveshjes


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Nuk mund të ketë marrëveshje për ta zbatuar marrëveshjen e mëparshme, thonë zyrtarë të Lidhjes Demokratike në lidhje me ngecjet në zbatimin e reformave kushtetuese e zgjedhore në Kosovë.

Këto reforma ndodhen para dështimit, pasi që partitë politike nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për tejkalimin e gjendjes së krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e presidentes.

Sipas një marrëveshjeje të vitit të kaluar ndërmjet liderëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, të ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, përveç reformave kushtetuese e zgjedhore, vendi do të shkonte në vjeshtën e këtij viti në zgjedhjet e para presidenciale si dhe në vjeshtën e vitit tjetër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Por, Kushtetuesja kishte interpretuar si jo kushtetuese këtë marrëveshje të liderëve që pretendonte t’u shkurtonte mandatin institucioneve.

Duke u ballafaquar me një situatë të re, Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të këtë një takim të ri ndërmjet liderëve politik për tejkalimin e situatës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci thotë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të sfidohen.

Madje, ai beson se ky vendim më së shumti e ka goditur PDK-në, e cila beson se kishte gjasat më të mëdha që të merrte nën drejtim edhe postin e presidentit.

Kemi disa deklarata nga ana e zyrtarëve të LDK-së, por këto deklarata ndoshta janë bërë nën ndikimin e nervozës dhe shpresojmë, besojmë dhe dëshirojmë që LDK-ja të reflektojë dhe përfillë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për ne, në situata të tilla bllokuese, marrëveshjet janë të natyrshme, janë normale sepse liderët politikë duhet të ulen dhe të gjejnë një rrugëzgjidhje”, thotë Grabovci.

Mirëpo, Lidhja Demokratike e Kosovës e cila paraqet forcën më të madhe opozitare në Kuvend, insiston që marrëveshja mes liderëve për reformat kushtetuese e zgjedhore të zbatohet.

Shefi i Grupit Parlamentar, Ismet Beqiri thotë se LDK nuk do të përfshihet në bisedime për arritjen e një marrëveshjeje të re për zbatimin e marrëveshjes së vjetër.

Nuk shohim asnjë arsye që të ketë marrëveshje të re për zbatimin e marrëveshjes së mëparshme. Ajo duhet të zbatohet. Marrëveshja është nënshkruar nën garancat e zotit Dell, përndryshe sigurisht që kryetari Mustafa nuk do ta nënshkruante sepse është vështirë t’i besohet, në këtë rast zotit Thaçi dhe gatishmërisë së tij për zbatimin e marrëveshjeve të arritura”, thekson Beqiri.

LDK kërcënon se nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese dhe reformat zgjedhore nëse marrëveshja e vitit të kaluar në zbatohet.

Votat e LDK-së do të jenë të domosdoshme pasi që amandamentimet kushtetuese kërkojnë dy të tretat e votave të deputetëve apo 80 vota për.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se nuk ka qenë protagoniste e marrëveshjes së parë, por që situata të tejkalohet, nuk do ta përjashtonte si mundësi edhe arritjen e një marrëveshje të re.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini thotë se Kosova ka shumë nevojë, sidomos për reforma zgjedhore, andaj ato duhet të vazhdojnë në mënyrë që të mos përsëriten manipulimet si kanë ndodhur me zgjedhjet e fundit.

Nevoja për këto ndryshime është rrjedhojë e parregullsive që kanë ndodhur në zgjedhjet e fundit dhe rrjedhojë e abuzimit të skajshëm me votën e lirë të qytetarëve. Nëse Kosovës i duhet të del nga ky ngërç me duhet të komunikojmë mes veti, duhet të gjejmë rrugë dhe nuk guxojmë ta sjellim vendin në situatë të bllokadës sikurse disa vende fqinje pa asnjë nevojë”, thotë Gjini.

Pjesa problematike e marrëveshjes për reformat kushtetuese e zgjedhore është ajo për shkurtimin e mandatit të presidentes.

Gjykata Kushtetuese e cilësoi si jo kushtetuese shkurtimin e mandatit përmes një marrëveshjeje politike. Nisur nga ky fakt, LDK i ka kërkuar presidentes Atifete Jahjaga të jap dorëheqje, por kjo e fundit ka deklaruar se dorëheqja nuk parashihet me Kushtetutë kështu që mandati i saj mbase do të jetë i plotë, pesë vjeçar.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG