Ndërlidhjet

Romni, zyrtarisht kandidat për president


Mit Romni
Mit Romni

Republikanët kanë nominuar zyrtarisht Mit Romnin për president në Konventën e tyre Kombëtare, që po zhvillohet në Tampa të Floridas.

Ish guvernatori i Masaçusetsit do ta sfidojë Barak Obamën në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Romni kaloi të martën (28 gusht) pragun e 1 mijë e 144 votave të nevojshme për të siguruar nominimin nga partia e tij.

Delegatët republikanë nga shtetet dhe territoret e Shteteve të Bashkuara gjithashtu nominuan kongresistin Pol Rajan për kandidat për nënpresident.

Në mbrëmje, bashkëshortja e Romnit, En, iu dha mbështetësve që brohorisnin, një kontakt personal me kandidatin republikan presidencial, një ish yll i biznesit.

Mit dhe En Romni
Mit dhe En Romni
Më lejoni ta them këtë për çdo amerikan që është duke menduar rreth asaj se kush duhet të jetë presidenti ynë i ardhshëm: askush nuk do të punojë më shumë, askush nuk do të kujdeset më shumë, dhe askush nuk do të lëvizë qiejtë e tokën si Mit Romni për ta bërë këtë vend një vend më të mirë për të jetuar”, ka thënë zonja Romni në mesin e brohoritjeve të turmës.

Rajan planifikohet që t’i adresohet Konventës sot(29 gusht), ndërsa fjalimi i Romnit është paraparë për të enjten më 30 gusht.

Duke bërë hapjen festive në Tampa, udhëheqësit republikanë kritikuan ekonominë e drejtuar nga presidenti Obama dhe ua rikujtuan zgjedhësve shkallën e lartë të papunësisë në vend dhe rritjen e deficitit buxhetor.

Ata miratuan platformën e partisë që bën thirrje për shkurtim taksash me qëllim të stimulimit të ekonomisë, dhënien fund të abortit dhe refuzimin e planit të kujdesit shëndetësor të Obamës.

Reins Pribus, kryesues i Komitetit Kombëtar Republikan tërhoqi vërejtjen se rizgjedhja e Obamës nënkupton “katër vjet të tjera dështimi”.

Ai tha se Romni dhe Rajan “do ta bëjnë vendin të funksionojë sërish”.

Guvernatori i Nju Xhersit Kris Kristi ka thënë se ai beson në Amerikën dhe historinë e saj, por aktualisht këtij shteti i mungon një gjë- lidershipi.

“Është koha që t’i jepet fund kësaj epoke të mungesës së lidershipit në Zyrën Ovale dhe të dërgohen liderët e vërtetë në Shtëpinë e Bardhë. Amerikës i duhet Mit Romni dhe Pol Rajani dhe dhe neve na duhen ata menjëherë”,
tha Kristi.

Delegatja republikane nga Arizona, Debra Forrest ka folur për televizionin Reuters.

Jam shumë e gëzuar që jam këtu dhe mendimi im për Mit Romnin është se ai është një lider i shkëlqyer. Ai do ta zhvillojë ekonominë. Ai është i guximshëm dhe dhe ai me të vërettë do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së”, tha Forrest.

Sondazhet e fundit tregojnë se Romni dhe presidenti demokrat po zhvillojnë një garë të ngushtë.

Demokratët do të zhvillojnë konventën e tyre në Karolinën e Veiut në javën e ardhshme.

Konventa Republikane është shtyrë për një ditë për shkak të shqetësimeve se stuhia tropikale Isaac mund të prishte procedurat në Tampa.

Stuhia është forcuar në kategorinë e uraganeve dhe ka prekur tokën në juglindje të Luizianës, dhe është nisur kah Nju Orllinsi, shtatë vjet pasi që qyteti u shkatërrua nga uragani Katrina.(a.i.)
XS
SM
MD
LG