Ndërlidhjet

Bie intensiteti i zjarreve



Autoritete përgjegjëse për shuarjen e zjarreve në pjesët malore të cilat janë kapluar kohëve të fundit, shprehen me optimistë, pasi që temperaturat tashmë kanë shënuar rënie.

Megjithatë, sipas tyre, në shumë pjesë malore të Kosovës ka ende zjarre aktive, por me një intensitet më të ulët krahasuar me ditët e kaluara.

Ahmet Zejnullahu, kryeshef i Agjencionit Pyjor të Kosovës, që funksionin në kuadër të Ministrisë se Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, thotë se gjatë ditës së mërkurë, një gjendje më e rënduar paraqitet në komunën e Podujevës

Duke pasur parasysh se temperaturat kanë rënë këto ditë, gjendja është më e mirë ditëve të fundit, por prapë se prapë kemi disa vatra të zjarrit në gjithë territorin e Kosovës, me përjashtim në rajonin e Ferizajit”.

Gjendje pak më e rënduar është në komunën e Podujevës, por duke pasur parasysh se është një mobilizim pak më i madh, besoj se një vatër e zjarrit e cila përfshin edhe komunën e Podujevës dhe Vuçitërnës do të futet nën kontroll gjatë ditës se sotme”, deklaron Zejnullahu për Radion Evropa e Lirë.

Për gjendjen në Podujevës, ka njoftuar Kuvendi Komunal i Podujevës përmes një njoftimi për media.

Në njoftim thuhet se autoritetet komunale kanë marrë të gjitha masat që të koordinohen dhe të intervenojnë në fikjen e zjarreve.

Gjendje më e rëndë paraqitet në malet e Repajës të fshatit Dumnicë afër zonës kufitare me Serbinë dhe ajo e maleve të Përroit të Kurrizit në fshatin Popovë.

Në njoftim, po ashtu theksohet se konfiguracioni gjeografik i maleve të Popovës, e bën tepër të vështirë apo gati të pamundur intervenimin nga njësiti i zjarrfikësve të Komunës së Podujevës për shkak të pjerrtësisë së madhe.

Sipas raportit të Shërbimit të Zjarrfikësve, vetëm gjatë muajit gusht në komunën e Podujevës, ka pasur intervenime në 308 raste të zjarreve fushore, pyjore, hamulloreve, shtyllave elektrike etj.

Sipërfaqja e dëmtuar e pyjeve nga zjarret është përafërsisht 30 hektarë, ndërsa sipërfaqja fushave, hamulloreve dhe barit të thatë 200 hektarë, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, zjarre aktive ka edhe në komunën e Dragashit, thotë se Hajriz Sejdiu, koordinator i Qendrës së Bashkuar Fushore, e cila vepron e koordinuar me Agjencionin e Menaxhimit të Emergjencave.

Në pjesën e Koretniku, ku ka qenë një zjarr i madh, për javë të tëra, gjendja është pak më stabile, sepse zjarri është në maje të Koretnikut, dhe ndizen disa kullosa dhe do të shkojë në pjesën e Shqipërisë, aty është një pjesë ku është e djegur dhe besojmë stabilizohet”.

Më problem e kemi zjarrin që ka rifilluar gjatë natës mbi fshatin Buqë dhe mbi fshatin më minoritet goran Rapçe. Këtu tashmë janë njësitë e Dragashit, presim që të vijnë edhe njësitë nga Malisheva dhe Prizreni dhe po shpresojmë që do të lokalizojmë këtë zjarr i cili tenton të ikë nga ana e majtë nga fshati Buqë”, thekson Sejdiu.

Për shuarjen e zjarreve, deri tash janë të angazhuar njësitë e zjarrfikësve, agjencioni i pyjeve, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe një numër i qytetarëve.

Në anën tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë thënë se janë duke i zhvilluar hetimet lidhur me zjarret që kanë shpërthyer në rajone të ndryshme të Kosovës.

Sipas tyre, edhe pse deri më tani kanë ndaluar persona të dyshimtë, ende nuk ka persona të arrestuar sa i përket zjarreve në zonat malore.
XS
SM
MD
LG