Ndërlidhjet

Krasniqi kërkon mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për bisedimet


Prishtinë, 29 gusht 2012.
Prishtinë, 29 gusht 2012.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Trejsi Xhejkobson, me të cilën ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Krasniqi mësohet se ka uruar ambasadoren për detyrën e re në krye të misionit amerikan në Kosovë, duke u shprehur i bindur se marrëdhëniet me SHBA-në do të vijnë duke u forcuar.

Temë e takimit kanë qenë edhe reformat kushtetuese dhe zgjedhore që po bëhen në Kosovë, sidomos sa i përket amendamentimit të Kushtetutës dhe të ligjeve që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, ndërsa është folur edhe për bisedimet me Serbinë.

“Ne kemi qenë në vazhdimësi për bisedime me serbët e Kosovës dhe me Serbinë, por dëshirojmë që në këto bisedime Kosova dhe Serbia t’i heqin qafe të gjitha pengesat dhe mosmarrëveshjet që kemi si dy vende fqinje. Natyrisht, kërkojmë mbështetje për këto bisedime nga SHBA-ja dhe BE-ja, pasi që përvojat na mësojnë se me Serbinë, edhe kur kemi biseduar, gjatë viteve të shkuara, nuk jemi marrë vesh”, ka thënë, ndër të tjera, Krasniqi.

Ambasadorja Xhejkobson ka shprehur kënaqësinë për vizitën e saj të parë në Kuvend.

“Ishte mundësi e mirë të dëgjoj për prioritetet legjislative të Kuvendit, për punët që janë kryer dhe që duhet të kryhen deri në përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë”, ka deklaruar Xhejkobson pas takimit.
XS
SM
MD
LG