Ndërlidhjet

KS diskuton situatën humanitare në Siri


Siri
Siri
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë të enjten situatën humanitare në Siri, ku luftimet ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve rebelë kanë prekur jetët e 2.5 milionë banorëve.

Franca, e cila mban presidencën e këshillit 15-anëtarësh në muajin gusht, ka bërë thirrje për një takim ministror, si dhe për krijimin e një zone mbrojtëse brenda Sirisë për qëllime humanitare.

Por, vetëm ministri i Jashtëm francez, Lloren Fabju, dhe homologu i tij britanik, Uilliam Hejg, do të prezantojnë nivelin e kabinetit të qeverive anëtare, raporton DPA.

Të mërkurën në Bruksel, komisionarja evropiane për çështje humanitare, Kristalina Georgieva, ka thënë se konflikti në Siri ka shkaktuar “probleme të mëdha për civilët”.

Ajo i ka bërë thirrje Këshillit në Nju Jork të kërkojë qasje më të gjerë për punonjësit humanitarë në Siri.

Kryengritja kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad ka kaluar muajin e 17-të.

Luftimet ndërmjet forcave rebele dhe trupave qeveritare kanë vazhduar edhe sot, sidomos në Alepo, Idlib dhe Deir Ezor.

Aktivistët thonë se rreth 25,000 persona kanë humbur jetën që nga shpërthimi i trazirave në mars të vitit 2011.
XS
SM
MD
LG