Ndërlidhjet

logo-print

Në pritje - 1770 persona mungojnë


Pas më shumë se 7 vjetësh, nga rrethojat e Kuvendit të Kosovës janë larguar fotografitë e 1770 personave të pagjetur që nga lufta në Kosovë.

Këto fotografi janë larguar nga vetë familjarët e të pagjeturve, të cilët kanë thënë se këtë veprim e bëjnë për t’i vendosur në një vend më të veçantë.

Shtatë vjet më parë, këto fotografi ishin vendosur me shpresë se ky veprim do të trokasë në ndërgjegjen e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për ta marrë më seriozisht zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Edhe Nesrete Kumnova nga Gjakova ka larguar tani fotografinë e djalit të saj të vetëm, i cili është në mesin e personave të pagjetur.




Edhe kjo heqje e fotove e më të dashurve tonë është shumë dhimbshme dhe brengosëse, po i largojmë, po i vendosim më mirë për të hapur sytë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që t’i kërkojnë edhe 1770 qytetarë që ende na mungojnë, në mesin e tyre edhe djalin tim të vetëm Albionin”, thekson Kumnova.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të pagjetur, është vendosur edhe gurëthemeli i një memoriali në të cilin do të vendosen emrat dhe fotografitë e të gjithë personave të pagjetur.

Ky memorial do të jetë afër Kuvendit të Kosovës, që sipas familjarëve të pagjetur ka për qëllim që t’iu kujtojë atyre që të bëjnë më shumë për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre.

Në Ditën Ndërkombëtare të të Pagjeturve, kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se kjo ditë tregon rrugën e vështirë dhe të dhimbshme që kanë pësuar shumë popuj të botës e edhe Kosova.

Duke kujtuar 1770 persona të pagjetur të Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar nga autoritetet e Serbisë që të japin informacione për vendndodhjen e tyre.

Ne kemi obligim t'i përkujtojmë, t'i nderojmë dhe vërtet kërkojmë nga ata që janë përgjegjës për atë çka ka ndodhur para sa viteve në Kosovë të japin përgjegjësinë ë tyre dhe të tregojnë për fatin e personave të pagjetur, për motrat dhe vëllezërit tonë, për baballarët tanë, për fëmijët tuaj”, thekson ai.

Kumnova, vazhdimisht ka kritikuar autoritetet e Kosovës se nuk janë dukë bërë të duhurën për zbardhjen e fatit të djalit të saj dhe të gjithë personave tjerë të pagjetur.

Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve. Kjo është një datë që shënohet në tërë botën dhe dihet që tërë bota ka pasur të zhdukur, por në Kosovë po bëhen 13 vite pas luftës dhe Kosovës i mungojnë 1770 qytetarë të saj, në mesin e tyre mungon edhe djali im i vetëm Albioni".

"Është shumë vështirë që 13 vite, unë si nënë dhe gjitha nënat e Kosovës, kemi trokitur dhe vazhdojmë të trokasim në çdo derë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, vetëm e vetëm që të zbardhet fati i më të dashurve tanë
”, thotë Kumnova.

Sensibilizimi i opinionit vetëm nga familjarët, sipas saj, nuk e ndihmon zgjidhjen e këtij problemi 13 vjeçar, dhe institucionet vendore e ndërkombëtare nuk e kanë bërë presionin e duhur.

Adresa për gjetjen e këtyre personave është e qartë, thekson Kumonva. Duhet të kërkohet hapja e dosjeve nga shteti i Serbisë, shton ajo, duke shtuar se Serbia di për vendndodhjen e birit të saj dhe të gjithë personave tjerë.

Është mëkat i institucioneve vendore ndërkombëtare që trupat e më të dashurve tanë ende pushojnë në varrezat e kriminelëve në Serbi. Ata nuk e meritojnë këtë, por meritojnë që të kthehen sa më shpejt në tokën e tyre, sepse të gjithë e dimë se kanë shkuar për lirinë e Kosovës. Është një brengë e madhe shpirtërore që po vazhdon të lëndojë zemrat e nënave, baballarëve, grave dhe fëmijëve”, thekson Kumnova.


Në vitin 2010, Serbia kishte zbuluar një varr masiv në Rashkë, vendbanim ky në jug të Serbisë, ku dyshohet se gjenden trupat e pajetë të rreth 250 shqiptarëve. Ata besohet se janë vrarë gjatë luftës të viteve 1998-1999 në Kosovë.

Autoritetet kosovare në atë kohë kishin kërkuar që të jenë të pranishëm gjatë këtyre proceseve, por edhe pas dy vjetësh, Serbia vazhdon ta mbajë peng rastin e Rashkës.

Për një varrezë masive, po ashtu, ishte dyshuar edhe në Kosovë me lokacionin Zhilivodë të Vushtrrisë. Pas dy vjetësh punë intensive në këtë lokacion, hulumtimet kishin përfunduar në fillim të këtij muaji. Rasti ishte mbyllur dhe autoritetet mjekoligjore nuk kanë gjetur mbetje mortore njerëzish në këtë lokacion.

Ndërkohë, institucionet e Kosovës vazhdojnë të kërkojnë nga ndërkombëtarët që të bëjnë trysni ndaj Beogradit për zbardhjen e personave të pagjetur.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në pritje për të marrjes së ndonjë informacion nga Serbia për varrezën masive në Rashkë.

Sa i përket rajonit të Rashkës dhe një vendi të dyshuar në rajonin e Rashkës, ne presim informacione nga Serbia, për të na caktuar lokacionin e saktë ku do të bëhen gërmime vlerësuese, sepse atje jo vetëm pse dyshohet, po ka edhe të dhëna të bazuara që është një varrezë masive”, thotë Gjetaj.

Deri tani, varri masiv më i madh në Serbi është zbuluar në vitin 2001, në rrethinat e Beogradit. Aty gjendeshin kufomat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Aktualisht, në planin për hulumtime dhe gërmime për gjetjen e 1770 personave të zhdukur, thekson Gjetaj, janë disa vende në hapësirën e Kosovës.

Disa lokacione, sipas tij, janë në rajonin e Mitrovicës në pjesën veriore, në të cilat, siç thekson ai, rrethanat dhe situata atje po e pengojnë një hulumtim të tillë.

Zbardhja e fatit të edhe 1770 personave - shumica të përkatësisë etnike shqiptare, të tjerët nga komunitetet pakicë - sipas Gjetaj, është shumë e vështirë edhe për shkak të mungesës së informacioneve.

Kryesisht mungesa e informacioneve, sepse as mjetet, as angazhimet nuk mungojnë, por informacionet janë të zbehta ose jo të besueshme, kështu që kjo çështje ka ngecur pikërisht për këtë arsye. Prandaj apelojmë që gjithë ata si qytetarë, si familjarë, kushdo qoftë që disponon ndonjë informacion, të na i sjellë", thekson Gjetaj.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG