Ndërlidhjet

Daçiqi hedh poshtë deklaratat e Kacinit për Kosovën


Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka mohuar të jetë arritur konsensus për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale, sepse, siç ka thënë ai, “as që janë zhvilluar negociata në lidhje me çështjen”.

Ai ka thënë se është në interes të Serbisë që Kosova të mos përfaqësohet në mënyrë të barabartë me vendet e tjera, sepse kjo do të nënkuptonte njohje jodirekte të pavarësisë.

Daçiq ka thënë se Serbia do të respektojë të gjitha marrëveshjet që ka arritur qeveria e kaluar me Prishtinën.

Të mërkurën, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, ka thënë se në Beograd është arritur marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Por, të dyja palët kanë interpretuar ndryshe marrëveshjen, duke bërë që përfaqësuesit e Serbisë shpesh të braktisin organizimet ku merrnin pjesë edhe homologët e tyre kosovarë.

Marrëveshja parasheh përfaqësimin e Kosovës me fusnotë, e cila përfshin mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë dhe Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG