Ndërlidhjet

Romni premton “rikthimin e Amerikës”

  • RFE /RL

Mit Romni ka pranuar zyrtarisht nominimin e Partisë Republikane për të garuar në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara kundër presidentit aktual, Barak Obama.

Ai ka pranuar nominimin e partisë në ditën e tretë dhe të fundit të Konventës Kombëtare të Republikanëve, që është zhvilluar në Tampa të Floridës.

Zoti kryetar dhe delegatë, pranoj nominimin tuaj për president të Shteteve të Bashkuara. Një gjë të tillë e bëj me përulësi dhe i ndikuar thellë nga besimi që keni në mua. Është nder i madh, është përgjegjësi e madhe dhe ju kërkoj të bashkoheni me mua për një të ardhme më të mirë”, ka thënë Romni.

Ai ka thënë se Obama ka dështuar të mbajë premtimin për shpresë dhe ndryshim.

Romni e ka cilësuar veten si shpresën më të mirë për të ngritur ekonominë amerikane. Ai është zotuar se do të bëjë të pavarur energjinë e Shteteve të Bashkuara, do të shkurtojë deficitin, do të negociojë marrëveshje të reja tregtare dhe do të krijojë 12 milionë vende pune.

Sipas tij, premtimet e Obamës katër vjet më parë “i kanë hapur rrugë zhgënjimit dhe ndarjes”.

Do të doja që presidenti Obama të kishte sukses, sepse unë dua që Amerika të ketë sukses. Por, premtimet e tij i kanë hapur rrugë zhgënjimit dhe ndarjes. Kjo nuk është diçka që duhet ta pranojmë. Tani është momenti kur ne mund të bëjmë diçka dhe, me ndihmën tuaj, do të bëjmë diçka”, ka thënë Romni.

Ish-guvernatori i Masaçusetsit po ashtu ka premtuar rikthimin e “udhëheqjes amerikane” në skenën botërore, duke u zotuar për qëndrim më të ashpër ndaj Iranit, për shkak të programit të tij bërthamor.

Ai ka thënë se presidenti Obama është “i etur” për t’i dhënë presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, fleksibilitetin që ai dëshiron, pas zgjedhjeve.

Nën administratën time, miqtë tanë do të shohin më shumë besnikëri, ndërsa zoti Putin do të shohë më pak fleksibilitet dhe më shumë shtylla”, ka thënë kandidati republikan, duke akuzuar Obamën edhe për dobësimin e aleancës me Izraelin.

Romni, 65 vjeç, ka bërë përpjekje të tregojë edhe anën e tij të butë, duke folur për prindërit e tij dhe familjen. Ai ka mbrojtur punën e tij në Bain Capital – kompani kjo private, të cilën kritikët e kanë akuzuar për shkurtime të vendeve të punës.

Fjalimi i Romnit për të argumentuar se përse duhet të zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara është ndjekur nga dhjetëra miliona teleshikues, duke u dhënë atyre një vështrim më të gjerë për kandidatin.

Romni dhe Obama kanë qenë shumë pranë njëri-tjetrit në sondazhet parazgjedhore, por Konventa aktualisht i ka dhënë shtysë Romnit.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 6 nëntor.

Problemet ekonomike pritet të dominojnë fushatën parazgjedhore. SHBA-ja po lufton me 8.3 për qind papunësi dhe me rimëkëmbjen më të ngadaltë ekonomike në disa dekada.(v.t.)
XS
SM
MD
LG