Ndërlidhjet

Stefanoviq flet për tre kushtet e BE-së


Kreu i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq.

Kreu i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq.

Heqja e institucioneve të Serbisë nga veriu i Kosovës është njëri nga kushtet formale që Bashkimi Evropian të vendosë për datën e negociatave me Serbinë, ka thënë shefi aktual i delegacionit serb në bisedime, Borisllav Stefanoviq.

“Kushtet formale për të fituar datën e negociatave për anëtarësim në BE janë marrëveshjet me Prishtinën për energjinë elektrike, telekomunikacionin, ashtu si edhe heqja e institucioneve tona nga veriu i Kosovës”, ka thënë Stefanoviq për mediat serbe.

Ai ka shprehur dyshime se këto çështje mund të zgjidhen në kuadër të dialogut teknik. Sipas tij, nëse nisin bisedimet politike, tema do të jenë: manastiret, kishat, veriu i Kosovës, pasuritë dhe të drejtat e serbëve në jug të Ibrit.

Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar disa raunde të bisedimeve teknike në Bruksel. Dy palët kanë arritur shtatë marrëveshje, por zbatimi i tyre ka ngecur.

Aktualisht, në Kosovë janë shtuar zërat për nisjen e një dialogu politik me Serbinë. Si qeveria në Prishtinë, ashtu edhe autoritetet në Beograd kërkojnë konsensus ndërpartiak për këtë lloj dialogu.
XS
SM
MD
LG