Ndërlidhjet

logo-print

Kosovë: Miratohen ligjet për përfundimin e mbikëqyrjes


Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)

Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)

Kuvendi i Kosovës ka bërë të premten shqyrtimin e dytë të projektligjit për ndryshimet dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Në këtë projektligj janë propozuar 49 amendamente, prej të cilave 29 janë propozuar nga Komisioni ad-hoc për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 16 janë propozuar nga deputetët dhe 6 amendamente janë propozuar nga Komisioni ad-hoc dhe deputetët.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar ligjin me 63 vota për, pa asnjë kundër dhe pa abstenime, por, siç është thënë, pa amendamentet 32, 33 dhe 37, të cilat nuk e morën votimin e dyfishtë, që kërkohet me nenin 81 të Kushtetutës së Kosovës.



Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit ad- hoc për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili e ka paraqitur raportin me rastin e leximit të dytë të projektligjit për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, fillimisht ka thënë se kërkesa e komisionit që ai drejton është ndryshimi i titullit të ligjit dhe termi “përmbyllje” të zëvendësohet me termin “përfundim”.

“Siç e dini, neve na ka ardhur një titull pak i gjatë i ligjit. Komisioni ka ardhur në konkluzion se titulli zyrtar i këtij ligji duhet të jetë ‘Projektligji për ndryshimet dhe plotësimin e ligjeve për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovë’. Ky titull duhet ta përshkruajë krejt tekstin”.

“Pra, është edhe në pajtim me rezolutën, e cila e ka mandatar komisionin. Në vend të fjalës ‘përmbyllje’ duhet të përdoret fjala ‘përfundim i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovë’. Dëshiroj në mënyrë të veçantë, kolegët e komuniteteve pakicë t’i bindi se me këtë pako të ndryshimeve, nuk preket asnjë e drejtë e garantuar me Kushtetutë”
, ka thënë Bajrami.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është moment historik për vendin dhe tregon pjekurinë institucionale, e në veçanti të Kuvendit të Kosovës, që ka pasur obligimet kryesore për ta përfunduar këtë proces. Deputetja Osmani ka thënë se Lidhja Demokratike e përkrah votimin e projektligjit.

“Pavarësisht vërejtjeve që ne i kemi pasur në projektligj, shumica prej të cilave janë paraqitur dhe pranuar si amendamente të komisionit, Lidhja Demokratike e Kosovës do ta përkrahë votimin e këtij projektligji”, është shprehur Osmani.

Megjithatë, në mjaft raste, votimi i amendamenteve është përcjellë me debate dhe polemika, sidomos për ato që rregullojnë çështjet për bashkësitë fetare.

Deputeti Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se nuk duhet lejuar dallimet ndërmjet bashkësive fetare.

“Pse bëjmë dallim, pra, në mes të Kishës Ortodokse dhe institucioneve tjera fetare? Pse themi që Kishës Ortodokse ne duhet t’ia respektojmë hierarkinë dhe nuk themi që edhe bashkësive tjera fetare duhet t’ua respektojmë? Për bashkësitë fetare, në përgjithësi, e përcakton Kushtetuta. Ajo është punë e tyre e brendshme dhe ne s’kemi të drejtë t’u përzihemi, por ne nuk duhet të bëjmë dallim në këtë rast”, ka thënë Aliu.

Lidhur me amendamentet që rregullojnë çështjen e bashkësive fetare, ka folur edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

“Më vjen keq që njerëzit po ngurrojnë ta thonë se ‘na është kërkuar të japim garanci shtesë për Kishën Ortodokse serbe. Por, garancitë shtesë për Kishën Ortodokse serbe nuk do të thonë se, nesër në mëngjes, Kuvendi i Kosovës nuk mundet ta miratoj një ligj, me të cilin ua jep edhe bashkësive të tjera të njëjtat garanci”.
Kjo do të thotë se ne sot po e përmbyllim një proces politik. Nuk po e rregullojmë në tërësi, esencialisht, çështjen e feve...

“Kjo do të thotë se ne sot po e përmbyllim një proces politik. Nuk po e rregullojmë në tërësi, esencialisht, çështjen e feve. Nëse Kuvendi i Kosovës do që t’i ngatërrojë këto dy tema, unë mendoj se mund të shkojmë që t’i ngatërrojmë, por po i ngatërrojmë komplet atëherë”, ka theksuar Gjini.

Ndryshe, kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës mbështetje të plotë për propozimin e Komisionit ad-hoc, që, siç është shprehur ai, është edhe propozim i Qeverisë së Kosovës i koordinuar ngushtë dhe me mbështetje të plotë ndërkombëtare.

“Është një çështje e gjerë, jo aq e ngushtë siç mendojmë për një amendament. Qeveria e Kosovës është duke e përgatitur ligjin e veçantë për liritë fetare. Është në fazën finale dhe do të përshkruhet në detaje. Kështu që edhe një herë më lejoni që t’ju ftoj që t’i japim mbështetje të plotë. Ju ftoj të gjithë deputetëve, të gjitha partive politike, që t’i japim mbështetje të plotë propozimit të Komisionit, që është propozim edhe i Qeverisë, si dhe është siguri dhe garanci që i kemi dhënë edhe komunitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar Thaçi.

Ndryshe, hyrja në fuqi e ndryshimeve në legjislacionit parësor do të bëhet në ditën kur miratohet pakoja e ndryshimeve kushtetuese. Këto ndryshime do të vihen në rend të ditës të Kuvendit të Kosovës më 7 shtator.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG