Ndërlidhjet

logo-print

Shqipëri: Debat pa zgjidhje për imunitetin


Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë

Heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë, deputetët, gjyqtarët e prokurorët është një debat disa vjeçar në Shqipëri, por ende pa zgjidhje. Kjo çështje është dhe një nga kushtet që Bashkimi Evropian ka vendosur në këmbim të statusit të kandidatit.

Edhe pse të dyja forcat e mëdha politike janë pro heqjes së imunitetit, gjithçka ka mbetur në kuadrin e deklaratave.

Opozita e kushtëzon reformën në sistemin e imuniteteve, me një paketë ndryshimesh në Kushtetutë që prekin mënyrën e funksionimit të disa institucioneve të drejtësisë - çfarë nuk tingëllon e arsyeshme për Partinë Demokratike, e cila në mungesë të konsensusit të opozitës ka hedhur publikisht propozimin për një referendum popullor për këtë çështje.

Për analistin Lutfi Dervishi realizimi i referendumit ka disa probleme që lidhen ndër të tjera dhe me periudhën, në të cilën propozohet të mbahet.

“Përpjekjen e referendumit e shoh më tepër si një formë presioni të mazhorancës për t’i bërë gjyq përpara opinionit publik qëndrimit jo fort të kuptueshëm të opozitës për çështjen e imunitetit, sesa si një mundësi reale për t’u realizuar në afat të shpejtë, qoftë nga pikëpamja e diskutimit ligjor, qoftë dhe nga pikëpamja e kuptimit kohor, kur vendi ka disa ngjarje të mëdha, me të cilat duhet të përballet. Njëra prej tyre është edhe festimi për 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar”.

“Në këtë kuadër është vendimi i komisionit për mundësinë e dhënies së statusit kandidat Shqipërisë. Pas mbarimit të kësaj periudhe, praktikisht vendi hyn në fushatë elektorale me sondazhe të muajit janar të pritshme dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013”
, thotë Dervishi.

Analisti Aleksandër Çipa thotë se zgjidhja për heqjen e imunitetit mund të prodhohet vetëm në Parlament.

“Referendumi është një alternativë maksimaliste. Ndërkohë që ekzistojnë resurse për një dialogim dhe mirëkuptim brenda aktorëve të vendimmarrjes politike në Parlamentin shqiptar, sepse dhe vetë opozita nuk është kundërshtare e heqjes së imunitetit, madje shpreh gatishmëri, por e kushtëzon me ndryshime kushtetuese”, shprehet Çipa.

Por, sipas Dervishit, zgjidhja duhet të jetë pa kushte, aq më pak e lidhur me një paketë të tërë ndryshimesh në Kushtetutë që, siç thotë analisti Dervishi, do të kërkonin më shumë kohë sesa referendumi, për diskutim e miratim të tyre.

“Shoh më shumë logjikë dhe më shumë të mundur një konsensus në Parlament, pa e lidhur çështjen e imunitetit me çështjet e tjera, sepse do të kërkonte kohë tjetër plus, më shumë sesa një referendum, çështja e rishikimit qoftë pjesor të Kushtetutës”, vlerëson Dervishi.

Por, pavarësisht kushteve, për Çipën, opozita ka lënë mjaftueshëm shteg për të negociuar:

“Opozita po e kushtëzon këtë gjë, por në mënyrë permanente opozita e ka lënë shtegun të lexueshëm dhe të hapur për të kuptuar se matanë kësaj këmbënguljeje ekziston hapësira për një marrëveshje politike bilaterale”.

Tonet politike janë rritur dukshëm për shkak të vendimit në tetor të Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat. Imuniteti po përdoret politikisht për sulmuar dhe fajësuar në epërsi kundërshtarin, duke paralajmëruar një dështim të mundshëm me statusin.

Analisti Dervishi thotë se e gjen pa arsye pozicionimin e opozitës në këto zhvillime:

“Zoti Rama po bën një lojë të rrezikshme dhe deri diku të pakuptueshme, në kuptimin që në qoftë se do të fajësojë Qeverinë për statusin, ai duhet t’ia lërë barrën asaj. Do t’ia linin të gjithë barrën Qeverisë nëse nuk do të kapej te çështja e imunitetit. Kështu që, unë, çështjen e imunitetit nuk e kuptoj se për çfarë i duhet. Qeverisë, në një kuptim të ngushtë, i shërben ky lloj qëndrimi”, thekson Dervishi.

Në këtë pikë të debatit politik askush nuk e di se çfarë përgjigje do të japë Brukseli zyrtar për statusin. Vendimi do të ketë jo pak ndikim te zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2013. Prandaj Aleksandër Çipa arsyeton se lidershipi i Partisë Demokratike, po përdor kartën e referendumit për imunitetin në funksion të zgjedhjeve.

“Që të jemi të sinqertë, çështja e një referendumi është një kauzë ë rëndësishme për nxemje elektorale. Në këtë pikëpamje zoti Berisha ka ditur fort mirë ta luajë si një profesionist çështjen e referendumit. Substanciale nuk ka qenë çështja e referendumit, por thjesht konteksti mbi të cilin kërkohet heqja e imunitetit. Pra, protagonizmi i tij për të qenë i pari në aksionin kundër korrupsionit dhe kundër abuzivizmit që buron nga pasja e imunitetit”, potencon Çipa.

Analisti Lutfi Dervishi thotë se partitë duhet të heqin dorë nga përdorimi i çështjeve të ndryshme për kapital politik. Ai thekson se vendimi negativ për statusin, ndryshe për të tretin vit me radhë, është një lajm që zhgënjen të gjithë shqiptarët, të majtë e të djathtë, me ose pa parti.

“Në një rast eventual të mosmarrjes së vendimit pozitiv për statusin kandidat, do të fillonte loja e fajësimit që mund të nxjerrë një fitues në fund, por në një farë mënyre na nxjerr të humbur të gjithëve. Nxjerr të humbur Shqipërinë! Është pak a shumë sikur të kesh një avari në avion, nuk ka rëndësi nëse je në ‘business class’ apo ‘economy class’ - fakt është që janë të gjithë të rrezikuar”, shprehet Dervishi.

Partia Demokratike ka bërë të ditur se gjatë dy javëve të para të muajit shtator do të zyrtarizojë propozimin e saj për referendum popullor për heqjen e imunitetit. Por, referendumi nuk kundërshtohet vetëm prej opozitës, por dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, aleate e Partisë Demokratike në qeverisje.

Kjo ka nxitur analistët të besojnë se zgjidhja për imunitetin do të bëhet në Parlament.
XS
SM
MD
LG