Ndërlidhjet

Thaçi e Mustafa fajësojnë njëri-tjetrin për bllokim reformash


Kryeministri Hashim Thaci dhe kreu i LDK-se Isa Mustafa(foto nga arkivi)
Kryeministri Hashim Thaci dhe kreu i LDK-se Isa Mustafa(foto nga arkivi)
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar të shtunën partinë më të madhe opozitare, LDK-në, që të ri-kthehet dhe të marrë pjesë në punën e komisioneve për reformat kushtetuese dhe zgjedhore për të “mos e bllokuar procesin”.

Ndërsa po merrte pjesë në përurimin e një rruge në fshatin Leskovec të komunës së Prizrenit, Thaçi ka deklaruar se çështja e mandatit të presidentes Atifete Jahjaga është qartësuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se ky vendim tash nuk mund të sfidohet.

“Partitë politike dhe asnjë lider politik nuk mund ta sfidojë vendimin e institucioneve të pavarura. Tek e fundit vetë kjo parti e ka kërkuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese dhe tash si vendim i gjykatës është një realitet, por ne duhet të gjejmë mënyrat, format dhe mundësitë e bashkëpunimit sepse është në interesin e shtetit ta përmbyllim procesin e reformave dhe se një parti e vetme nuk do të mund t’i bllokojë reformat demokratike të ecjes përpara të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka ftuar LDK-në që të rikthehet në procesin e reformave, duke vlerësuar se vendimi për dalje nga komisionet ishte i ngutshëm dhe i pa studiuar mirë.

“Këto katër vite e gjysmë kemi punuar bashkërisht për implementimin e Planit të Ahtisaarit. Bota pret nga ne, nga Kosova, nga gjithë spektri politik mençuri, urtësi dhe unitet politik dhe qytetar”, ka deklaruar Thaçi.

Ai tha se nuk “është në interesin e asaj partie (LDK-së) që të mbetet e veçuar dhe bojkotuese e procesit”.

Ndërsa Thaçi ka kritikuar LDK-në për bojkot dhe bllokim të reformave kushtetuese e zgjedhore, edhe lideri i opozitës, Isa Mustafa e kishte adresuar dy ditë më herët kritika të ngjashme, por të cilat i drejtoheshin kryeministrit Thaçi dhe partisë së tij, PDK-së, si bllokuese e reformave.

Mustafa i kishte arsyetuar kritikat e tij me faktin që PDK dhe Thaçi nuk po e respektojnë dhe zbatojnë marrëveshjen e nënshkruar nga liderët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, e cila më pas ishte fuqizuar edhe përmes një rezolute të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Kjo marrëveshje, përveç reformave kushtetuese e zgjedhore, mes tjerash parashihte edhe një mandat prej një viti e gjysmë për presidenten aktuale, në mënyrë që më pas vendi të shkonte në zgjedhjet e para presidenciale.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e kishte interpretuar këtë marrëveshje si jo kushtetuese, andaj Jahjaga tani ka deklaruar se mandati i saj do të jetë i plotë, pesë vjeçar.

PDK dhe Thaçi tani e thonë hapur se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese përderisa LDK kërkon respektimin e plotë të marrëveshjes së liderëve ose kërcënon se do ta bllokojë edhe procesin e nisur të reformave përmes komisioneve ad hoc të formuara nga Kuvendi i Kosovës.
XS
SM
MD
LG