Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Ushtarët ende përballen me "luftë të ashpër" në Afganistan

  • RFE /RL

Barak Obama

Barak Obama

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se ushtarët amerikanë në Afganistan ende përballen me një “luftë shumë të ashpër”, por u zotua se do t’i japë fund luftës atje në mënyrë të “përgjegjshme”, sikurse në Irak.

Obama i bëri këto komente të premten në Fort Blis të shtetit jugor të Teksasit.

Ai ishte atje për të shënuar përvjetorin e dytë të përfundimit të operacioneve luftarake amerikane në Irak.

“Ju u larguat nga Iraku me nder, e me kokën lart pas kompletimit të misionit. Pas nëntë vjetësh lufta jonë në Irak mbaroi dhe Iraku ka shansin ta ndërtojë fatin e vet. Nuk ka trupa amerikane që luftojnë e vdesin në Irak. Në këtë përvjetor ne nderojmë kujtimin e atyre që dhanë jetët e tyre atje, afër 4 mijë e 500 patriotë amerikanë, përfshirë 198 heronj të rënë nga Fort Blisi, dhe ne nderojmë të gjithë ata që shërbyen atje”, tha presidenti amerikan.

Ai vlerësoi fuqinë dhe angazhimin e aleatëve të SHBA-ve në mbarë botën për të siguruar mposhtjen e Al-Kaidës.

“Me aleatët dhe partnerët tanë ne kemi mposhtur më shumë terroristë kryesorë të Al Kaidës, që nga 11 shtatori. Duke iu falënderuar trimërisë së forcave tona, Al Kaida është në rrugën e mposhtjes dhe Bin Ladeni kurrë më nuk do të kërcënojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Obama.

Presidenti amerikan mbrojti katër vjetët e tij në Zyrën Ovale nga akuzat për mungesën e lidershipit të bëra nga kandidatët republikanë për Shtëpinë e Bardhë, Mit Romni e Pol Rajan.

“Pra, nuk bëjmë gabim. Duke i dhënë fund luftërave në mënyrë të përgjegjshme, ne bëhemi më të sigurt dhe ushtria jonë më e fortë. Duke i përfunduar këto luftëra, lihet hapësira për të bërë diçka tjetër, për të rivendosur lidershipin amerikan. Nëse dikush po përpiqet të thotë se Amerika është në rënie ose se ndikimi ynë është zbehur, mos e besoni, sepse këtu është e vërteta".

"Aleancat tona nuk kanë qenë asnjëherë më të forta, ne udhëheqim në emër të lirisë, duke përfshirë këtu popullin e Libisë që më në fund janë të lirë nga Muamer Gadafi. Rreth botës tash ekziston një qëndrim i ri ndaj Amerikës, besimi i ri në udhëheqjen tonë. Kur njerëzit pyeten, cilin vend e admironi më shumë- një komb gjithmonë është në majë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës
”, ka theksuar Obama.

Këshilltarët e Obamës, ndërkohë, kanë kritikuar kandidatin republikan për president, Mit Romnin, se ka dështuar të përmendë luftën afgane dhe dhjetëra mijëra ushtarë amerikanë që shërbejnë atje gjatë fjalimit të tij të së enjtes mbrëma, ku zyrtarisht pranoi nominimin e partisë së tij.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG