Ndërlidhjet

Azerbajxhani gradon vrasësin, armenët protestojnë

  • RFE /RL

Armenët djegin flamurin hungarez

Armenët djegin flamurin hungarez

Azerbajxhani i ka dhënë një promovim ushtarak ushtarit të ekstraduar të premten nga Hungaria, ku po e vuante dënimin e përjetshëm për vrasjen e një oficeri armen.

Ministri i Mbrojtjes, Sefer Adiev, promovoi lejtënant Ramil Safarovin me gradën e majorit, duke i uruar suksese në karrierën e tij ushtarake në të ardhmen.

Ceremonia vjen pas Ilham Alievi, presidenti i Azerbajxhanit, amnistoi Safarovin pas arritjes në Baku të premten duke e liruar atë nga burgu në lidhje me vrasjen e Gurgen Margarian gjatë një sesioni trajnues të NATO-s, më 2004 në Hungari.

Vilajet Guliev, ambasadori i Azerbajxhanit në Hungari, i tha Radios Evropa e Lirë se transferimi i Safarovit ishte sukses personal diplomatik i Alievit.

“Kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Ne kemi punuar për një gjë të tillë me muaj të tërë. Procesi i ekstradimit nga fillimi deri në fund është bërë mbi urdhrin e presidenti të Azerbajxhanit dhe është zbatuar nga ambasada e Azerbajxhanit në Budapest”, ka thënë Guliev.

Si reagim, Armenia ka pezulluar marrëdhëniet diplomatike me Hungarinë dhe ka thënë se është duke i vendosur trupat “në gjendje gatishmërie”.

Qindra armenë të zemëruar kanë djegur flamurin hungarez dhe kanë hedhur ve, domate dhe monedha ndaj konsullatës hungareze në Jerevan, duke e akuzuar Budapestin se ka bërë marrëveshje me Bakun për të përfituar nga pasuritë energjetike të Azerbajxhanit.

Hungaria, që e pati dënuar Safarovin me burg të përjetshëm në vitin 2006, këmbëngul se Azerbajxhani i kishte premtuar se ushtari do ta kryente dënimin në vendin e tij dhe se nuk do të lirohej.

Armenia tha gjithashtu se do të dërgojë letra për shtetet që bashkëkryesojnë grupin e Minskut në OSBE për të protestuar kundër Azerbajxhanit për lirimin e ushtarit.

Shtetet që bashkëkryesojnë Grupin e Minskut janë Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

Grupi Minsk kërkon një zgjidhje të konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit mbi territorin e kontestuar të Nagorno-Karabakut.

Azerbajxhani dhe Armenia kanë zhvilluar një luftë në vitet ’90, në lidhje me Nagorno-Karabakin.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar veprimin e Azerbajxhanit.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Barak Obama vlerëson se vendimi i Ilham Alievit që ta falë vrasësin e dënuar, Ramil Safarovin, është në kundërshtim me “përpjekjet e vazhdueshme për të ulur tensionet në rajon dhe për të promovuar ripajtimin”.(a.i.)
XS
SM
MD
LG