Ndërlidhjet

Shoqatat ekonomike kërkojnë shkurtim të festave zyrtare


Ilustrim

Ilustrim

Kosova ka 11 festa zyrtare të përcaktuara me ligj. Në këto ditë të festave, institucionet publike dhe disa private nuk punojnë. Numri i madh i festave dhe ditëve pushim, sipas përfaqësuesve të organizatave ekonomike në Kosovë, është i tepërt dhe ka efekte negative edhe në ekonomi.

Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës(OEAK), në takimin e fundit të Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik, ka paraqitur kërkesën për reduktimin e ditëve pushim në festa.

Drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë kërkuar që të mos ketë lidhje të ditëve që nuk janë pushime zyrtare me ditët tjera të pushimeve zyrtare, meqenëse, siç thotë ai, kjo po u pamundëson edhe bizneseve edhe qytetarëve që të kenë qasje në shërbime civile në ato ditë.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë duke pasur parasysh nivelin e zhvillimit ekonomik në Kosovë, të gjithë akterët e shoqërisë duhet të punojnë me një dinamikë më të shtuar. Në qoftë se disa prej festave zyrtare ndoshta janë përsëritje me njëra- tjetrën, e që janë paradoksale se kremtohen vetëm në Kosovë, e jo ndoshta edhe në vendet tjera, siç është Dita e Evropës, duhet të reduktohen”, vlerëson Zeka.

Institucionet publike janë ato, të cilat më së shumti zbatojnë ligjin për festat zyrtare, derisa sektori privat jo të gjitha festat zyrtare i bën ditë pushimi.



Disa qytetarë, ndërkaq, janë të mendimit se duhet të ketë reduktim të ditëve pushim gjatë festave. Ata mendojnë se Kosova ka shumë festa dhe nuk duhet të mos punohet në të gjitha ato.

Ermira Morina shprehet:

“Personalisht, mendoj se numri i festave zyrtare është shumë i madh, duke pasur parasysh se ne kemi festa historike, pastaj edhe festat e tri komuniteteve fetare që janë në Kosovë. Numri i tyre bëhet mjaft i madh dhe neve na e pengon procesin e punës. Po ashtu, jam e mendimit se festat që rastisin gjatë ditëve të vikendit nuk duhet të lidhen me ditët e ardhshme të punës. Për shembull festa zyrtare që bie ditën e shtunë apo ditën e diel, nuk mendoj se është e arsyeshme që të hënën të pushohet”.

Ngjashëm mendon edhe Ilir Kastrati:

“Po unë mendoj që ka shumë festa zyrtare dhe nuk do të duhej të lidheshin me ditët e fundjavës. Sidoqoftë ka disa festa që nuk janë përfshirë në listën e festave zyrtare, po janë si festa memorial, të cilat do të duhej që të këputeshin si festa zyrtare siç është 28 Nëntori”, thotë Kastrati.

Kërkesa tjetër e Odës Ekonomike Amerikane është që kur festat të bien gjatë ditëve të vikendit, të shtunën ose të dielën, atëherë mos të zgjaten gjatë ditëve tjera të punës.
Zeka thekson se kur ata e kanë paraqitur një kërkesë të tillë, ajo është mbështetur gati nga të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, që janë pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Arian Zeka

Arian Zeka

“Pothuajse shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar që janë pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, e kanë mbështetur një kërkesë të tillë, sepse edhe ata e kanë parë ndoshta edhe në diskutim e sipër me kolegë të tjerë nga vende të tjera të rajonit se Kosova ka një numër të madh të festave zyrtare që është gjithsej njëmbëdhjetë”, thekson Zeka.

Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj janë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike , Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike, si dhe Pashkët Ortodokse.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG