Ndërlidhjet

New York Times: A mund të rikthehet Evropa?

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

“Kush fitoi më së shumti medalje në Olimpiadë? Evropa. Kush e ka ekonominë më të madhe në Evropë? Sërish Evropa. Ku shkojnë më tepër njerëzit në pushime? Evropë, natyrisht. Kur matet fuqia, Bashkimi Evropian e ka vendin bashkë me SHBA-në dhe Kinën në Tri të Mëdhatë globale. Megjithatë, po t’ia thuash këtë zyrtarëve në Pekin, Uashington ose në ndonjë kryeqytet tjetër botëror, do të qeshin me zë. Derisa udhëheqësit evropianë lëkunden drejt një raundi tjetër të samitit për krizën, kjo superfuqi potenciale shihet gjerësisht si një njeri i sëmurë i botës së zhvilluar”.

Kështu nis artikullin në “New York Times”, historiani dhe komentatori britanik, Timoti Garton Ash, në të cilin ngre pyetjen nëse Evropa mund t’i mbijetojë rritjes së pjesës tjetër.

Autori pyet se si u bë që forcat që nxitën unifikimin e Evropës 60 vjet më parë, nuk qenë në gjendje që të lëvizin drejt një unioni fiskal për të shpëtuar eurozonën nga kriza.

Ai thotë se pesë shtytësit më të mëdhenj të unifikimit evropian që nga vitet ’50, tashmë ose janë zhdukur, ose kanë humbur energjinë e tyre.

E para dhe kryesorja, sipas tij, ka qenë kujtesa personale e luftës, dhe mantra “kurrë më”, e cila ka motivuar tri gjenerata të evropianëve pas vitit 1945. Por, gjenerata e fundit që përjetoi Luftën e Dytë Botërore, po vdes dhe kujtesa kolektive është e dobët.

E dyta, shkruan Timoti Garton Ash, kërcënimi sovjetik ka ofruar një nxitës të fuqishëm për evropianët perëndimorë që të bashkohen gjatë luftës së ftohtë. Gjatë asaj lufte, SHBA-ja ka qenë mbështetëse aktive e integrimit evropian, duke u nisur nga Plani Marshall e deri te diplomacia për ribashkimin e Gjermanisë. Por, jo më. Le të mundohet sa të dojë, por Vlladimir Putini nuk është Jozef Stalin. Ndërsa këtyre ditëve, SHBA-ja ka prioritete të tjera, vlerëson Ash.

E treta, deri në vitet ‘90, makina e integrimit evropian ka qenë Republika Federale e Gjermanisë me Francën si timon drejtues. Gjermanët kishin një dëshirë të fuqishme idealiste për të rehabilituar veten në familjen e kombeve evropiane, dhe një interes të fuqishëm kombëtar për ta bërë këtë. Vetëm duke fituar besimin e fqinjëve dhe partnerëve ndërkombëtarë mund ta arrinin ribashkimin gjerman. Tash, kur është arritur ky qëllim, idealizmi evropian po venitet bashkw me shuarjen e gjeneratës së kohës së luftës. Këto ditë, Gjermania, nuk do ta marrë librin e çeçeve kurdo që Evropa ka nevojë, thekson autori në shkrimin e publikuar në “New York Times”.

E katërta, kombet dikur të pushtuara të Evropës Lindore nuk janë më të pasionuara pas Bashkimit Evropian, edhe pse qytetarët e tyre kanë kujtesë më të freskët të diktaturave, vështirësive dhe luftës. Derisa Polonia është avokatja më e zëshme e unionit, Hungaria dhe Republika Çeke janë ndër anëtaret më skeptike.

E fundit, supozimi i përhapur se “Evropa” nënkupton rritje të standardeve të jetesës dhe të sigurisë sociale për të gjithë evropianët është prekur rëndë nga borxhi i akumuluar, plakja e popullatës, konkurrenca globale dhe kriza e eurozonës. Grekët dhe spanjollët e rinj mezi i shohin këto përfitime sot.

Megjithatë, shkruan historiani britanik, edhe në vendet më skeptike, është e qartë se është më mirë t’i takosh një tregu të vetëm prej 500 milionë konsumatorësh sesa të varesh nga një treg vendor prej 50 apo më pak se 10 milionë.

Ky, argumenton Ash, është rasti i ri për unifikimin evropian.

“Derisa ne evropianët duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të siguruar se kontinenti unë nuk do të harrojë të kaluarën e trazuar, nevoja për rritje është çelës i së ardhmes sonë të përbashkët. Bota e shekullit XXI do të jetë e gjigantëve: e të vjetërve si SHBA-ja dhe Rusia dhe të rinjve të uritur si Kina, India, Brazili e Afrika Jugore”.

Në botën e gjigantëve, shkruan autori, është më mirë të jesh edhe ti gjigant: negociatat tregtare ndërmjet Kinës dhe BE do të jenë në mes të të barabartëve, derisa ato ndërmjet Kinës e Francës do të paraqisnin një marrëveshje të pabarabartë.

“Zgjidhja gjendet në dorë të Evropës. Po qe se lëviz drejt një zgjidhjeje të krizës në eurozonë, dhe drejt një politike të përbashkët të jashtme, Kina do ta marrë më me seriozitet Bashkimin Evropian, ngjashëm sikurse që do të bëjë Amerika dhe Rusia”, shkruan ndër të tjera Timoti Garton Ash.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG