Ndërlidhjet

Obama/Romni: Dallimet në politikën e jashtme


Obama/Romni
Obama/Romni
Zgjedhjet presidenciale ka të ngjarë të përcaktojnë nëse Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të ndërmarrin reduktime të mëtejshme të armëve bërthamore; nëse Shtetet e Bashkuara do të furnizojnë rebelët sirianë me armë; nëse vitin e ardhshëm do të tërhiqen më shumë trupa amerikane nga Afganistani dhe nëse Uashingtoni do të ripërtërijë presionin ndaj Izraelit për të pranuar kushtet për një shtet palestinez.

Kështu nis shkrimin e përditshmja amerikane “Washington Post”, duke vënë në pah se asnjëri nga supozimet nuk mund të vërtetohet me siguri nga konventat e partive.

Sipas gazetës, javën e kaluar, konventa e Partisë Republikane ka bërë bujë me sloganet për “udhëheqje të Amerikës” dhe “dobësi të Obamës”. Këtë javë, ajo parasheh shumë fjalë nga Sharlloti i Karolinës së Veriut në lidhje me vrasjen e Osama Bin Ladenit dhe tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku.

Por, kjo nuk do të thotë se zgjedhjet presidenciale nuk do të ndryshojnë shumë, ndonëse, vijon artikulli, interesat amerikanë dhe ndjekësit e tyre kanë tendenca të mbeten konsistentë gjatë presidencave.

Megjithatë, kujton Washington Post, ka dallime të mëdha dhe të ndritshme në politikën e jashtme.

Duke nisur me Rusinë, ajo thotë se Romni e cilëson atë ai “armikun numër një gjeopolitik”, përderia Obama kërkon rivendosjen e marrëdhënieve me Moskën.

Në vitin 2010, Romni ka kundërshtuar ashpër marrëveshjen e re START, ndërmjet Obamës dhe presidentit të atëhershem rus, Medvedev, për reduktimin e kokave bërthamore dhe ka premtuar se do të thellojë shpenzimet për mbrojtjen raketore.

Në radhë vijnë angazhimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Sipas gazetës, edhe Obama, edhe Romni kanë mbështetur planin e NATO-s për tërheqjen e trupave nga Afganistani deri në fund të vitit 2014. Por, të dy ata kanë mospajtime për urgjencën e kësaj çështjeje.

Kur bëhet fjalë për Sirinë, Obama ka hedhur poshtë propozimet që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë në krijimin e zonës mbrojtëse për civilët ose të furnizojnë rebelët me armë, ndërkaq, Romni, vijon artikulli, është shprehur në favor të armatosjes së opozitës.

Në fund, por jo më pak i rëndësishëm, është konflikti izraelito-palestinez. Obama ka ardhur në pushtet me një ambicie të flaktë për të negociuar shtetësinë palestineze. Romni, shkruan Washington Post, ashtu si edhe Xhorxh Bushi, e ka bërë të qartë se shtetësinë palestineze do ta vinte në furrë të shkrirjes.

Këto dallime mund të mos kenë aq kuptim për votuesit sa e ardhmja e sigurimeve shëndetësore apo e Gjykatës Supreme, Por, ato kanë rëndësi dhe është e turpshme që asnjëra fushatë nuk flet për to, shkruan Washington Post.


Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG