Ndërlidhjet

logo-print

Sulmohet personeli i SHBA-së në Pakistan

  • RFE /RL

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Pakistan ka bërë të ditur se dy shtetas amerikanë, të cilët punonin për Konsullatën e SHBA-së në Peshauar, janë plagosur nga sulmi me bombë kundër makinës së tyre.

Ne deklaratën e ambasadës thuhet se sulmi pranë kufirit afgan, ka plagosur edhe dy punonjës pakistanezë të konsullatës.

“Një sulm, siç duket terrorist, ka pasur në shënjestër automjetin e Shteteve të Bashkuara dhe dy amerikanë, ashtu si edhe dy pakistanezë, janë plagosur dhe kanë marrë trajtimin mjekësor”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane në Islamabad.

Më herët, zyrtarët pakistanezë kanë thënë se të paktën tre persona – përfshirë dy amerikanë – janë vrarë nga sulmi vetëvrasës kundër makinës së tyre.

Raportet kundërthënëse nuk kanë mundur të sqarohen menjëherë.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nullënd, ka thënë se Uashingtoni “qëndron i gatshëm për të punuar me autoritetet pakistaneze, në mënyrë që autorët të sillen para drejtësisë”.

Shpërthimi ka ndodhur në një zonë të sigurt në Peshauar, ku janë të pozicionuara organizatat e huaja, përfshirë Konsullatën e SHBA-së dhe Zyrën e Kombeve të Bashkuara.

Hazrat Ali, roje e sigurisë dhe dëshmitar i sulmit, ka përshkruar atë që ka parë.

Shpërthimi ka ndodhur në 9:05. Kur kam dalë jashtë, kam parë një makinë që vozitej nga të huajt. Një i huaj është kapur në flakë, një tjetër ka dalë nga makina....”.

Një mjek i paidentifikuar në një spital të Peshauarit ka thënë se bëhet fjalë për të vrarë dhe të plagosur.

Kemi pranuar 21 pacientë. Nga ta, dy janë të vdekur dhe 19 të plagosur. Ata përfshijnë gra dhe fëmijë. 80 për qind e të plagosurve janë në gjendje serioze”, ka thënë ai.

Zyrtari i lartë i policisë, Javed Khan, ka thënë se nën rrënojat e makinës së sulmuar është gjetur një pasaportë amerikane.

Pamjet televizive kanë treguar një makinë plotësisht të shkatërruar dhe të djegur. Zyrtarët kanë thënë se imazhet i përkisnin makinës së Konsullatës amerikane.

Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë ende asnjë grup, ndonëse, në të kaluarën, talibanët pakistanezë janë fajësuar për sulme të ngjashme.

Ministri për Informim i provincës Khiber, Mian Iftikar, ka thënë se ky është “një veprim i rrezikshëm i terroristëve që duan të terrorizojnë të huajt”.

Peshauari ndodhet në veriperëndim të Pakistanit dhe është strehë e militantëve talibanë dhe atyre të Al Kaidës.

Qyteti është goditur nga sulme të shumta në vitet e fundit, por sulmet kundër objektivave amerikane konsiderohen si relativisht të rralla, për shkak të masave të rrepta të sigurisë që ka ndërmarrë Qeveria e Shteteve të Bashkuara.(v.t.)
XS
SM
MD
LG