Ndërlidhjet

logo-print

S’ka elemente pozitive në luftën kundër korrupsionit


Ilustrim

Ilustrim

Drejtuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit, vlerësojnë se korrupsioni në shumë institucione të vendit vazhdon të jetë i pranishëm dhe se nuk po luftohet.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha se si në vitet e kaluara, edhe në pjesën e parë të këtij viti nuk vërehet ndonjë ndryshim ose veprim në luftën ndaj kësaj dukurie negative.

Preteni konsideron se në drejtim të luftës kundër korrupsionit janë disa aktivitete, por vetëm nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Fatkeqësisht, vlerësoj se nuk ka elemente pozitive të cilat dëshmojnë që lufta kundër korrupsionit ka fituar në progres. Janë disa aktivitete, disa fillim hetimesh por, këto po bëhen nga mekanizmat ndërkombetarë. Mendoj se ndihma e tyre është e mirëseardhur, por detyrat në luftën kundër korrupsionit duhet të jetë baza e angazhimit të institucioneve të vendit”, tha Preteni.

Kurse, koordinatorja kombëtare kundër korrupsionit, njëherësh prokurore e Qarkut në Prishtinë, Drita Hajdari, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se hetimet për procedimin e lëndëve që kanë të bëjnë me afera e korrupsionit, janë duke vazhduar.

Kohëve të fundi kemi pasur edhe disa suksese të cilat kanë përfunduar me aktgjykime nga ana e gjykatave me të cilat janë shpallur fajtorë kryesit e veprave, janë shqiptuar dënime të larta burgimi. Në anën tjetër, sa i takon pohimeve se ka ardhur deri të ngritja e korrupsionit, unë konsideroj se fakti që veprat penale të korrupsionit paraqiten, nuk do të thotë që ka ardhur edhe deri të rritja e korrupsionit”, shpjegoi zonja Hajdari.

Megjithatë, drejtori i agjencisë anti-korrupsion, Hasan Preteni, thotë se si institucionet që kanë për synim luftën kundër korrupsionit, nuk janë në dijeni për rastet të cilat flet prokurorja Hajdari.

Ndoshta zonja prokurore ka informacione më të shumta, por flasim për atë çka bëhet publike, ne nuk i dëgjojmë as qytetarët e thjeshtë, dhe ne në institucione nuk i kuptojmë se cilat janë ato raste të cilave ju është referuar. Ndoshta ka ndonjë rast që nuk është bërë publik, ai është problem tjetër në vete. Kështu që e kisha inkurajuar prokuroren në këtë rast, edhe të tjerët nga prokuroritë vendore edhe nga gjykatat, që rastet të cilat i hetojnë, në ato raste të ngritin aktakuza edhe të bëhen publike”, deklaroi Preteni.

Ndryshe, organizatat vendore dhe ndërkombëtare, në vazhdimësi kanë shprehur shqetësime lidhur me nivelin e korrupsionit në Kosovë.

Organizatat joqeveritare kanë kritikuar Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, strategjinë kundër korrupsionit dhe deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë.

Instituti Demokratik i Kosovës / Transparency International Kosova, ka kritikuar disa herë edhe punën e institucioneve të tjera të vendit se nuk janë duke bërë asgjë për të luftuar korrupsionin.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në takimin e fundit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, ku bëjnë pjesë udhëheqësit më të lartë të fushave të sigurisë dhe drejtësisë, u ka kërkuar drejtuesve të organeve përgjegjëse që të mos dorëzohen deri në çrrënjosjen e korrupsionit nga institucionet dhe shoqëria kosovare.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG